Mbretëria e Bashkuar ka shpallur një regjim të ri sanksionesh për të goditur rrjetet kriminale të kontrabandimit të njerëzve, që ndihmojnë në kalimet e paligjshme drejt territorit të saj. Lajmi u konfirmua sot nga Ministri i Jashtëm britanik, ndërsa nesër pritet të shpallen edhe objektivat e parë konkretë.
Sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve, ndalim udhëtimi drejt Britanisë dhe përjashtim nga sistemi financiar britanik për këdo që ndihmon apo përfiton nga migrimi i paligjshëm. Masa synon të godasë jo vetëm organizatorët e drejtpërdrejtë, por edhe financuesit, furnitorët e varkave të vogla dhe rrjetet e pagesave ilegale si Hawala.
“Çdokush që ndihmon kontrabandistët e njerëzve do të përballet me pasoja serioze. Këto sanksione janë një instrument i ri për të ndërprerë rrjedhën e parave, pajisjeve dhe ndihmës logjistike që mbështet këto rrjete kriminale”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Qeveria britanike e ka cilësuar këtë regjim si të parin në botë që i dedikohet goditjes së kontrabandës së njerëzve, me qëllim frenimin e migrimit të parregullt dhe mbrojtjen e jetës së migrantëve të rrezikuar nga trafikantët.
Masat do të shoqërohen me ligje të reja në kuadër të Projektligjit për Kufijtë, Azilin dhe Emigracionin, ndërsa autoritetet britanike po bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, për të mbështetur sigurinë kufitare.
Sipas autoriteteve britanike, viktimat e kontrabandës shpesh përfundojnë në situata të trafikimit dhe skllavërisë moderne, ndërsa nuk përjashtohet edhe rreziku i vdekjes gjatë kalimeve të rrezikshme përmes Kanalit.
Ministri i Jashtëm, David Lammy, u shpreh:
“Për shumë kohë, bandat kriminale kanë mbushur xhepat e tyre të korruptuar dhe kanë shfrytëzuar shpresat e njerëzve vulnerabël pa u ndëshkuar, ndërsa nxisin migrimin e parregullt drejt MB-së. Ne nuk do ta pranojmë këtë gjendje.
“Është detyra jonë morale dhe pjesë kyçe e Planit për Ndryshim të bëjmë gjithçka që mundemi për të shkatërruar këto banda dhe për të siguruar kufijtë e Britanisë.
“Për këtë arsye, Mbretëria e Bashkuar ka krijuar regjimin e parë në botë të sanksioneve kundër bandave të përfshira në kontrabandimin e njerëzve dhe nxitjen e migrimit të parregullt, si dhe mundësuesve të tyre. Nga dita e nesërme, personat e përfshirë do të përballen me ngrirje të aseteve, përjashtim nga sistemi financiar britanik dhe ndalim udhëtimi drejt MB-së.”
Njoftimi i sotëm pasqyron mënyrën se si e gjithë qeveria po punon së bashku për misionin e vetëm të sigurimit të kufijve të Britanisë. Regjimi i ri plotëson punën e Agjencisë Kombëtare të Krimit dhe Komandës për Sigurinë Kufitare për të luftuar krimin e organizuar të emigracionit dhe për të adresuar shkaqet e migrimit të parregullt në vendet e origjinës dhe tranzitit. Komanda për Sigurinë Kombëtare ka marrë një rritje buxheti prej 280 milionë £ në vit deri në vitin 2028 për të financuar hetues të specializuar, teknologji të reja dhe pajisje të avancuara të mbikëqyrjes për të ndërprerë dhe shkatërruar bandat kriminale.
Ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, u shpreh:
“Regjimi i sanksioneve të reja shënon një hap vendimtar në luftën tonë kundër bandave kriminale që përfitojnë nga mjerimi i njerëzve. Ai do të na lejojë të synojmë asetet dhe operacionet e kontrabandistëve kudo që veprojnë, duke ndërprerë financimin e tyre dhe duke shkatërruar rrjetet e tyre një nga një.
“Përmes Komandës për Sigurinë Kufitare dhe partnerëve kyç si Agjencia Kombëtare e Krimit, ne po forcojmë lidhjet me shtetet e tjera për të luftuar këtë problem global.
“Së bashku, po dërgojmë një mesazh të qartë se ata që shfrytëzojnë njerëzit e pambrojtur dhe rrezikojnë jetë për përfitime nuk kanë ku të fshihen.”
Ky njoftim është pjesë e strategjisë me tre shtylla të FCDO-së ‘ndërprerje, ndalim, kthim’ për të adresuar globalisht migrimin e parregullt. Përveç ndërprerjes së rrjeteve të krimit të organizuar të emigracionit përmes sanksioneve, FCDO punon me vendet e origjinës dhe të tranzitit për të dekurajuar migrantët e mundshëm nga ndërmarrja e udhëtimeve të rrezikshme dhe bashkëpunon me Ministrinë e Brendshme për të negociuar kthimin e personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë, përfshirë kriminelë dhe azilkërkues të refuzuar. Që prej zgjedhjeve, mbi 35.000 persona janë kthyer, një rritje prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shënime:
Mbështetur në Ligjin për Sanksionet dhe Pastrimin e Parave (Akti i Sanksioneve), Qeveria ka paraqitur legjislacion dytësor në Parlament që prezanton një regjim të ri global sanksionesh për Migrimin e Parregullt dhe Trafikimin e Personave. Rregulloret do të diskutohen nga të dyja Dhomat e Parlamentit pas kthimit nga pushimet verore, në përputhje me procedurën e miratimit të menjëhershëm.
Ngrirja e aseteve
Ngrirja e aseteve ndalon çdo qytetar britanik, ose çdo biznes në MB, nga ndërveprimi me fonde apo burime ekonomike që janë në pronësi, mbajtje apo kontroll të personit në fjalë. Sanksionet financiare të MB-së zbatohen për të gjithë personat brenda territorit dhe ujërave territoriale të MB-së, si dhe për të gjithë shtetasit britanikë, kudo qofshin. Gjithashtu ndalohet ofrimi i fondeve apo burimeve ekonomike për, ose në dobi të personit të sanksionuar.
Ndalimi i udhëtimit
Ndalim udhëtimi nënkupton që personit të sanksionuar duhet t’i refuzohet leja për të hyrë ose për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, nëse ai/ajo është një person i përjashtuar sipas nenit 8B të Aktit për Emigracionin të vitit 1971.
Skualifikimi i drejtorëve
Kur zbatohen sanksione për skualifikimin e drejtorëve, do të konsiderohet vepër penale nëse një person i caktuar, objekt i këtyre sanksioneve, vepron si drejtor i një kompanie ose do të marrë pjesë në menaxhimin, themelimin apo promovimin e një kompanie në MB.



