Kur dëgjova për herë të parë për këtë miqësi që kishte lindur gjatë pak ditëve të një shkolle verore në Shqipëri, u befasova. Në këtë botë moderne, ku gjithçka sillet rreth teknologjisë, rrjeteve sociale dhe ekzistencës online, disa fëmijë me origjinë shqiptare kishin gjetur njëri-tjetrin dhe kishin lidhur një miqësi të vërtetë, të thjeshtë dhe të pastër.
Vijnë nga qytete të ndryshme të Italisë, por kanë të përbashkët prejardhjen shqiptare dhe kureshtjen e moshës. U emocionova kur dëgjova historinë e tyre dhe për ditë me radhë mendoja si ta sillja këtë rrëfim tek lexuesi: Ta ndërtoja si intervistë? Si reportazh? Një bisedë me secilin prej tyre?
Dhe më pas më lindi një ide: Po sikur të ishin vetë ata që ta rrëfenin këtë histori? U kërkova ta shkruanin vetë, me mendimin se gjithsesi do të më duhej ta redaktoja, sepse janë të rinj, e ndoshta njohuritë e tyre për gjuhën shqipe nuk janë ende aq të mira, e ndoshta nuk do të mjaftonin për të sjellë një tekst të përpunuar.
Sërish u emocionova. Qartësia e mendimit dhe sinqeriteti i shkrimit të tyre janë për t’u përgëzuar. Prandaj ju ftoj ta lexojmë së bashku këtë histori miqësie që lindi në Shqipëri. Nuk kam ndryshuar asgjë nga versioni që më dërguan – kështu do të dalloni emocionet e secilit-, sepse ky është një shkrim i shkruar nga shumë duar të vogla shqiptare, që mbartin me krenari prejardhjen e tyre, e me gjuhën e shpirtit nga fëmijë që rriten larg, por me zemrën në atdhe.
Lexim të këndshëm!
***
Verën e kaluar, projekti “Jam shqiptar” u dha mundësinë njëzet të rinjve shqiptarë nga qytete të ndryshme të Italisë – si Parma, Novara, Asti, Bologna e të tjera – të përjetonin një eksperiencë dhjetëditore në Shqipëri.
Ishte një mundësi e mrekullueshme që na lejoi të vizitonim vende të reja të Shqipërisë, të pasuronim njohuritë tona kulturore, të shikonim nga afër monumente historike dhe më e rëndësishmja të përmirësonim gjuhën tonë, falë mësimeve të përditshme të shqipes, që zhvilloheshin në mëngjes me 2 ose 3 orë.
Pra kjo ishte një eksperiencë që të gjithë ne do ta mbajmë gjithmonë me vete.
Njohja
Fillimisht folëm për herë të parë përmes WhatsApp-it më 19 qershor 2024, dhe më pas u takuam më 21 qershor në aeroportin e Milanos. Duhej të niseshim për Shqipëri dhe, megjithëse nuk njiheshim mes nesh, nuk ndiheshim të huaj.
Në fakt, të vetmit që njiheshin më parë ishin Greta Babaj, Gabriele Viarengo dhe Eros Dizdari, sepse të tre janë nga Novara dhe ndjekin të njëjtën shkollë shqipe. Stefania Pistulli ishte e vetmja nga Asti, ndërsa Melissa Dedja vinte nga Parma.
Në shkollën verore
Gjatë ditëve të “Shkollës Verore”, filluam të njiheshim më mirë dhe të formonim grupin që jemi sot. Kaluan ditë të paharrueshme dhe kishte raste kur na dukej sikur njiheshim prej vitesh.
Në disa mbrëmje, uleshim në ballkonin e hotelit për të folur e për të ndihmuar njëri-tjetrin me problemet tona, por mbi të gjitha për të qeshur dhe për të luajtur domino. Fillimisht mendonim se një miqësi e tillë do të ishte e pamundur, sepse vinin nga rajone dhe qytete të ndryshme. Por, ndarja në fund të eksperiencës ishte shumë e vështirë, pasi kishim kaluar dhjetë ditë së bashku, ditë e natë.
U lidhëm shumë me njëri-tjetrin.
Të zbulonim Shqipërinë së bashku ishte diçka e mrekullueshme dhe e paharrueshme.
Por, më 30 qershor erdhi dita e ndarjes dhe, me lot në sy, u përshëndetëm me shpresën që nuk do të humbnim kontaktet dhe do të takoheshim sërish. Na u duk sikur po humbnim dy herë “shtëpinë”: një herë sepse po largoheshim nga Shqipëria, dhe herën tjetër sepse nuk do të ishim më çdo ditë bashkë.
Gjithsesi, ajo që e bëri të veçantë gjithçka ishte fakti që nuk e humbëm miqësinë e lidhur në Shqipëri, e aq më pak ta zbehnim.
Në Itali
Edhe pse “të rriturit” janë kundër përdorimit të tejzgjatur të teknologjisë, ne pikërisht teknologjia na ndihmoi të forconim miqësinë. Në WhatsApp- krijuam menjëherë një grup ku flisnim e përditësoheshim rregullisht. Të paktën një herë në javë përpiqeshim të organizonim videothirrje = fjalë e sugjeruar nga Gjyshja e Melisës në vend të videocall = dhe sa herë që dikush nuk ndjehej mirë, të gjithë ishim aty për ta mbështetur.
Megjithëse largësinë ia dolëm të organizoheshim për të qenë bashkë më 21 shtator, në paradën e Astit. Grupi ynë u ribashkua pas muajsh, dhe kaluam një ditë të mbushur me të qeshura e shumë gjëra të tjera.
Gjatë paradës, mbështetëm Stefaniën, dhe në fund u ngjitëm të gjithë në skenë për të treguar përvojën tonë në Shqipëri. Edhe ajo ditë pati një fund të lumtur por të trishtruar, pasi të gjithë u kthyen në qytetet e tyre.
Por të gjithë e dinim që kjo nuk ishte një ndarje përfundimtare. Ishim të trishtuar, por edhe më të vendosur për ta mbajtur gjallë këtë miqësi.
Askush prej nesh nuk dëshiron që grupi të shpërbëhet – dhe askush nuk e ka menduar ndonjëherë këtë. Çdo ditë që kalonte, njiheshim më mirë dhe miqësia jonë u kthye në një vëllazëri të vërtetë.
Siç thotë kënga “Vllazni” nga Noizy:
“S’na ka bo e njëjta nanë, ama jena vllazni.”
Një ditëlindje jo e zakonshme
Kaluam muaj të tërë duke u përpjekur të organizoheshim për më 2 mars, për ditëlindjen e tetëmbëdhjetë të Melissës – ishte festa e parë e ditëlindjes që e festuam së bashku, edhe pse Erosi mungonte.
Ato ditë, – Greta, Stefania dhe Gabriele – vendosëm të shkonim me tren në Parma. “Arritëm rreth orës 11:30 dhe i thamë Melissës që nëna e saj do të na çonte direkt në vendin e festës. Por në të vërtetë, shkuam në shtëpinë e saj për t’i bërë një surprizë”.
“Unë (Melissa), isha shumë e emocionuar, si për ta parë grupin tim, ashtu edhe për festën. Kur ra zilja, mendova se ishte halla ime… por ishin ata! Vrapova dhe i përqafova menjëherë. Ishte një moment që preku të gjithë familjen time që ndodhej në shtëpi për të më ndihmuar. Buzëqeshja jonë e madhe dhe emocionet tona prekën këdo.
Ishim të lumtur – e kishim pritur atë përqafim për një kohë të gjatë. Ishin pikërisht ata që më shoqëruan në hyrjen e ditëlindjes sime.
Për më tepër, organizuam një valle së bashku, dhe më pas kënduam e vallëzuam me të gjithë të ftuarit. U argëtuam shumë, por fatkeqësisht, ajo ditë nuk ishte e pafund”.
“Erdhi momenti të merrnin trenin. Kaluan dhjetë minuta me lot dhe përqafime. Donim që koha të ndalej. Ato përqafime ishin aq të sinqerta e të ngrohta sa nuk donim të shkëputeshim.
Për muajt në vijim, sërish komunikuam përmes videocall apo mesazheve. Donim të organizonim diçka tjetër, por shkolla nuk na e lejonte.
Derisa, një ditë, lindi një ide e veçantë: të takoheshim gjatë pushimeve të Pashkëve.
Sërish drejt Shqipërisë
Kjo ide më pas u kthye në një udhëtim tjetër në Shqipëri, në qershor.
Përpiqeshim të bindnim prindërit tanë që të na lejonin ta realizonim këtë udhëtim dhe, pas disa ditësh plot ankth, blemë biletat.
U bë! Dhe është bërë realitet deri më sot.
Organizuam gjithçka me shumë kujdes dhe data nuk ishte rastësore. Më 21 qershor, ne do të festojmë një vit miqësie, pikërisht në vendin ku lindi dhe u forcua grupi ynë.
Për këtë, duam të falënderojmë të gjitha institucionet që na dhanë këtë mundësi: Ministren e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Koordinatoren e Diasporës në Itali Luljeta Çobanaj, Drejtoreshën e Qendrës së Botimeve për Diasporën Mimoza Hysa, mësuese Anila Berberin dhe të gjitha mësueset tona që na mbështetën në çdo hap.
Faleminderit që na dhatë mundësinë të njihnim më shumë vendin tonë të origjinës. Faleminderit nga zemra prej nesh të gjithëve. Shpresojmë që miqësia jonë të jetë një shembull për të pasur besim te të gjithë projektet e ardhshme për të rinjtë.
Me dashuri,
Melissa Dedja, Stefania Pistulli, Greta Babaj, Eros Dizdari dhe Gabriele Viarengo
Shkrim i botuar në revistën “Flasim Shqip” nga Qendra e Botimeve për Diasporën.




