Alma Rexhepi, 21 vjeç, është pjesë e patrullës së përgjithshme pranë Komisariatit nr. 1 në Tiranë. Prej më shumë se një viti, ajo ushtron detyrën si punonjëse policie, duke ndjekur një rrugë të ndryshme nga ajo e bashkëmoshatarëve të saj.
E lindur dhe e rritur në Greqi, Rexhepi ka ndjekur studimet dhe ka qenë aktive në sportet marciale, ku ka arritur të marrë rripin e zi. Megjithatë, që në fëmijëri kishte vendosur që të ndiqte një tjetër rrugë: të bëhej police.
“Që e vogël shikoja policë dhe doja të bëhesha si ata. Jam ndikuar dhe nga gjyshi që ka qenë oficer,” shprehet ajo.
Pavarësisht se prindërit, rezidentë në Greqi, ishin kundër që vajza e tyre e vetme të transferohej në Shqipëri, Alma vendosi të ndiqte Akademinë e Sigurisë në Tiranë, ku përfundoi formimin dhe më pas nisi detyrën në strukturat e policisë.
“Ëndrra më solli në Shqipëri. Jam shumë e lumtur që arrita ta realizoj. Tani që do të hapet Akademia për Oficerë, do të aplikoj,” thotë Rexhepi, duke shtuar se synon të avancojë më tej në karrierë.
Të punosh në polici në një moshë të re, dhe veçanërisht si vajzë, ka sfidat e veta. Alma tregon se është përballur me situata të ndryshme në terren – nga qytetarë që kundërshtojnë gjobat e deri te menaxhimi i rasteve me persona të dehur apo të dhunshëm.
“Ka raste që na shajnë apo na ofendojnë. Por unë e di që po zbatoj ligjin dhe e vazhdoj punën,” thotë ajo.
Rexhepi thekson se në ambientin e punës është ndier e respektuar nga kolegët, të cilët e kanë ndihmuar sidomos në fillimet e saj për të përballuar më lehtë sfidat e shërbimit.



