Shkurt, shqip, pa filozofime.
Pavarësisht kushteve dhe rrethanave historike, kulturën dhe traditën kombëtare, në vazhdimësi, e kanë karakterizuar, përveç të tjerash, sinqeriteti, marrëveshjet ndërnjerëzore, besnikëria, mosofendimi, sakrificat për interesat kombëtare etj., etj.
Çfarë po ndodh more? Ishte një Shqipëri që e quanim “Nëna Shqipëri”, lindi edhe Kosova, por…
Nuk më hiqet nga mendja – Esat Stavileci ishte shkencëtar dhe veprimtar i pandalshëm për të mirën kombëtare. E kishin pyetur për të ardhmen e kombit. Përgjigjja, përafërsisht, kishte qenë se, “Për të ardhmen e kombit, përveç të tjerash, rëndësi të veçantë kanë dy gjëra – nëse Shqipëria do të dijë ta mbajë dhe zhvillojë shtetin, dhe nëse Kosova do të dijë ta themelojë dhe organizojë shtetin në interes të popullit”.
Nëse bëhet fjalë për kombin, respektivisht për interesat kombëtare, për shtetet ekzistuese shqiptare, mjerisht, mund të flitet vetëm për dështime, por jo edhe për suksese apo kontribute! Në këtë aspekt, do të përpiqem të potencoj vetëm disa momente, pasi tema është e gjatë.
Kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës ishte nën presion të Bashkësisë Ndërkombëtare. Megjithatë, ky kufi nuk duhej të ishte pengesë për bashkëpunimin dhe kontributin në zhvillimin e kombit. Kufiri ekzistues, pa asnjë pengesë, mund të shndërrohej në një formalitet, dhe nuk do të ishte rasti i parë në botë.
Mjerisht, as komunikimi Shqipëri–Kosovë nuk është normal. Derisa kryeministri i Shqipërisë organizon pritje dhe marrëdhënie miqësore me presidentin e Serbisë, armikun historik të shqiptarëve, me liderët e Kosovës as që komunikon!
Nuk kam dëgjuar dhe nuk kam lexuar asnjë fjalë nga shteti i Shqipërisë për pozitën dhe të drejtat e popullit shqiptar brenda kufirit të Serbisë apo të Greqisë.
Së paku, kush e njeh historinë e shtetit dhe të drejtës, e kupton se Kosova, që nga dita e themelimit, nuk erdhi në vete…
Të fillojmë me Kushtetutën.
Tekstin e Kushtetutës e përgatiti komisioni i caktuar. Ia dërgoi Parlamentit, Parlamenti ia dërgoi Presidentit të Shtetit, i cili ia ktheu në procedurë Parlamentit dhe, brenda 2 apo 3 ditëve, u aprovua pa kurrfarë diskutimesh. E meta më e madhe e Kushtetutës është favorizimi i komunitetit serb. Për këtë arsye, unë, personalisht, në atë kohë, me një artikull iu drejtova OKB-së duke reaguar kundër qëndrimit të Ahtisarit. Sipas tekstit ekzistues, vetëm Presidenti i Shtetit dhe Kryeministri kanë të drejtë të përgatisin amandamente kushtetuese dhe të përpiqen të korrigjojnë Kushtetutën aktuale.
Sistemi zgjedhor nuk përputhet me sistemin demokratik. E kam shprehur këtë mendim edhe më herët. Vite me radhë, kandidatët për deputetë i propozojnë kryesit apo kryetarët e subjekteve politike. Kuptohet, ata propozojnë kandidatët që nuk ua prishin tymin e duhanit. Është dashur dhe duhet të shkohet drejt një modeli ku çdo njësi komunale zgjedh anëtarët e parlamentit.
Rregullorja e punës së Parlamentit është qesharake dhe në kundërshtim me drejtësinë. Kur ua tregova dy senatorëve dhe një kongresisteje të shtetit tim në SHBA se, përveç të tjerash, çdo deputet, për pjesëmarrje në mbledhjen e Parlamentit, inkason një meditje, ndodhi një e qeshur e pakufijshme. Kjo është një formë e plaçkitjes së popullit, pasi deputetët i kanë rrogat mujore jo modeste.
Pas formimit të shtetit të Kosovës, në qeveri funksiononin rreth 20 ministri, por nuk u formua një ministri që do të ndriçonte veprimtarinë e UÇK-së, që do të dokumentonte veprimet famëkeqe dhe gjenocidale të Serbisë ndaj popullit kosovar. As pas 25 vitesh nuk iu parashtrua Serbisë kërkesa për kompensimin e dëmeve të luftës, ndërsa mu Serbia e inicioi procesin për të drejtat e serbëve në Kosovë. Personalisht kam hulumtuar Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe kam shkruar se edhe shtetet jo anëtare të OKB-së kanë të drejtë për inicimin e procedurave. Dallimi me shtetet anëtare është se shtetet jo anëtare duhet të kompensojnë shpenzimet e procedurës. Ndaj, për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, shteti i Kosovës nuk lëvizi fare!
Mungesa e kulturës ndikon, përveç të tjerash, edhe në themelimin dhe zhvillimin e shtetit. Së pari, çështje themelore është kuptimi nga pushtetarët se shteti i përket popullit dhe vetëm popullit. Çdo pjesëtar i shtresës pushtetare duhet të kuptojë se pushtetarët janë shërbëtorë të popullit. Ndaj, përveç veprimeve të tjera, pushteti patjetër duhet të kuptojë se kultura kombëtare është faktor që kontribuon në ruajtjen dhe zhvillimin e shtetit dhe të mirës kombëtare.
Kultura kombëtare është, apo duhet të jetë, prezente në ndërgjegjen e çdo individi. Megjithatë, mendoj se, së paku, edhe institucionet përkatëse duhet të kontribuojnë në funksionimin dhe zhvillimin e kulturës. Mendoj dhe shtroj pyetjen: A ekzistojnë akademitë e shkencave në dy shtetet shqiptare? A ekzistojnë ministritë e arsimit dhe kulturës? Mjerisht, edhe vetë gjuha shqipe po bastardhohet me fjalë – tani anglisht – si “supriza”, “divorcimi”, etj., sikur të mos ekzistojnë terma origjinalë shqip. Përveç kësaj, sinqeriteti, besnikëria, mosofendimi… sikur nuk ekzistojnë më. Vite me radhë, mu në Parlament, i cili në shtetet me sistem parlamentar është institucioni më i lartë, shohim apo dëgjojmë marrëzira të ndryshme. Kemi parë dhe dëgjuar edhe sharjet më banale – sharja e nënës, e robve, deri në përleshje fizike. A ka turp më të madh! Nëse mungon kultura, shteti duhet me ligje adekuate ta mbrojë.
Memoria më dërgon në vitin 1976, kur në ish-Jugosllavi ndodhi reformimi i legjislacionit penal në mënyrë që çdo njësi federale të aprovonte ligjin penal. Në Kosovë ishin formuar dy këshilla – njëri në përbërje të gjerë, rreth 50 anëtarë (dhe unë isha anëtar), dhe tjetri këshill në përbërje të ngushtë, prej 10 anëtarësh, i cili merrte vendimin përfundimtar për ta dërguar në Parlament. Insistoja që vrasjet për hakmarrje të definoheshin dhe të parashikohej dënimi adekuat. Shumica e kundërshtuan propozimin tim me arsyetimin se nuk është e preferuar terminologjia e hakmarrjes, pasi do të ishte e vetmja në mesin e njësive federale. Më ftuan në mbledhjen e fundit të këshillit të ngushtë dhe më pyetën përse po insistoja për definimin e hakmarrjes. E përsërita mendimin se reformimi i legjislacionit kishte për qëllim që ligji t’i përshtatej kushteve të secilës njësi. Insistova se të gjitha njësitë e dinë se në Kosovë ekziston hakmarrja dhe se ne, e vetëm ne, duhet të përpiqemi për eliminimin e saj… Ndaj, edhe u aprovua propozimi im.
Prandaj, mendoj se edhe sot, dhe në vazhdimësi, me ligje duhet të sanksionohen të gjitha veprimet kundër kulturës, gjë që paraqet interes kombëtar. Në anën tjetër, mendoj se institucionet duhet të veprojnë në mënyra efikase edhe në korrigjimin eventual të arsimit, në mënyrë që kultura dhe historia kombëtare të mbështeten dhe të zhvillohen maksimalisht.
Ishte dhe mbetet një temë e gjerë dhe e gjatë – ndoshta shkova edhe në monotoni…
Nga Luz Tomaj – Jurist, SHBA



