Organizata “Rrënjët Shqiptare” ka nderuar së fundmi ish-anëtarin e Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, me shallin e Marshit të Nderit dhe çmimin për Paradën e parë zyrtare të komunitetit shqiptar në SHBA.
Edhe pse Gjonaj nuk mundi të ishte fizikisht i pranishëm në ditën e paradës, ai luajti një rol kyç pas skene, duke ndihmuar në organizimin dhe suksesin e kësaj ngjarjeje historike për diasporën shqiptare në Amerikë.
“Ai është një zë i fortë, një mbështetës i palëkundur i komunitetit dhe një bashkëpunëtor i vyer në çdo iniciativë shqiptare në SHBA,” u shprehën përfaqësues të organizatës “Rrënjët Shqiptare” gjatë ceremonisë së dorëzimit të çmimit.
Ky vlerësim vjen për përkushtimin e vazhdueshëm ndaj çështjes shqiptare, si dhe për mbështetjen e tij ndaj aktiviteteve kulturore dhe kombëtare që forcojnë identitetin dhe zërin e shqiptarëve në diasporë.
Parada e mbajtur më 21 qershor 2025, në rrugët e Manhattan-it, u cilësua si manifestimi më i madh kulturor dhe kombëtar i shqiptarëve në SHBA. Mijëra shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora marshuan përmes Central Park West dhe rrugës 81st Street, në një atmosferë elektrizuese me flamuj kuqezi, valle popullore, veshje tradicionale dhe këngë shqiptare.
Parada u organizua nga “Rrënjët Shqiptare” me president Marko Kepi, dhe për herë të parë u zhvillua me mbështetje dhe njohje zyrtare nga Bashkia e New York-ut. Kryebashkiaku Eric Adams priti në rezidencën e tij përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe theksoi rolin thelbësor që luan ky komunitet në jetën sociale, ekonomike dhe institucionale të qytetit.
Për më shumë se tre orë, rrugët e New York-ut u kthyen në një festë shqiptare me karroceri të stolisura me simbole kombëtare, pankarta me mesazhe identitare dhe pjesëmarrje të shkollave, organizatave dhe individëve të të gjitha moshave.
Në këtë kuadër, nderimi i Mark Gjonajt nga “Rrënjët Shqiptare” vjen si një shenjë falënderimi për punën e tij të heshtur, por thelbësore, në mbështetjen e komunitetit dhe në bërjen realitet të një ëndrre që komuniteti shqiptar në SHBA e kishte prej dekadash: një paradë zyrtare, që të reflektojë krenarinë dhe unitetin kombëtar.
“Kjo paradë nuk ishte thjesht një ngjarje, por ishte histori në krijim e sipër,” deklaroi Marko Kepi, duke falënderuar bashkëpunëtorët dhe mbështetësit, mes të cilëve zuri vend të veçantë edhe Mark Gjonaj dhe ekipi i tij, që punuan pandërprerë për më shumë se 11 ditë.