Më 28 qershor 2025, mësueset e shkollës shqipe në Bavari organizuan një ekskursion në qytetin historik të Nürnbergut, me pjesëmarrës nga të gjitha shkollat e Bavarisë: Passau, Deggendorf, Aschaffenburg, München, Rosenheim, Kempten, Freising, Landshut, Landau, Fürth, Neumarkt dhe në Nürnberg etj.
Takimi filloi në ambientet mikpritëse të firmës “Tafa” në qendër të qytetit, ku pjesëmarrësit shijuan një mëngjes të përbashkët dhe patën mundësinë të bisedonin me Drejtorin e Departamentit për Diasporë të Republikës së Kosovës, z. Elis Badalli, si dhe me përfaqësues të dy Konsullatave të Shqipërisë dhe Kosovës.
Pas mëngjesit, u organizua një shëtitje në qytetin e vjetër të Nürnbergut, e udhëhequr nga një ciceron vendas, ku pjesëmarrësit patën rastin të njiheshin më nga afër me historinë dhe kulturën e qytetit. Nën diellin e ngrohtë të pasdites, Konsullja e Republikës së Shqipërisë, znj. Genta Mburimi, e cila ndoqi aktivitetin gjatë gjithë ditës, i ftoi të pranishmit për një kafe dhe bisedë miqësore.
Në orët e vona të pasdites u mbajt takimi zyrtar. Takimin e përshëndetën përfaqësuesit e LAPSh-it, përfaqësuesit Konsullor të dy vendeve tona në Munih, Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët i falënderuan mësimdhënësit për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë vitit shkollor 2024-2025.
Gjatë diskutimeve u trajtuan sfidat, problematikat dhe arritjet e vitit që lamë pas, ndërsa Drejtori Badallaj shprehu mbështetjen e tij për projektet që do të ndërmerren në të ardhmen. Takimi u përmbyll me një mbrëmje argëtuese, në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, duke u shprehur edhe një falënderim i veçantë për firmën “Tafa”, për mikpritjen e organizuar, për pranin e Drejtorit për Diasporës dhe te dy Konsullatave, të Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, Kryesinë së LAPSh-it dhe grupin Organizativ.
Nga Enela Markja