Ministri i Kulturës së Kosovës, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur sot nisjen e projektit madhor trevjeçar “Kujtesa e masakrave në Kosovë”, i cili synon dokumentimin e rrëfimeve të të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të dhjetë prej masakrave më të rënda të luftës së viteve 1998–1999.
Përmes një njoftimi zyrtar në profilin e tij, ministri Çeku e ka cilësuar këtë projekt si një detyrim moral dhe institucional për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe ekspozimin e së vërtetës historike.
“Dokumentimi dhe ekspozimi i krimeve të regjimit serb ndaj shqiptarëve është obligim për të cilin po angazhohemi çdo ditë”, theksoi Çeku.
Projekti do të përfshijë mbi 1000 intervista audio, të cilat do të bëhen pjesë e një arkive publike, ku do të ruhen dëshmitë autentike të dhimbjes, rezistencës dhe së vërtetës historike të viktimave të luftës. Kjo arkivë do të jetë një burim i rëndësishëm për studiues, historianë, por edhe për gjeneratat e ardhshme.
Projekti po realizohet nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë të Universitetit të Prishtinës, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, ndërsa mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës.
Ky është një nga hapat më të rëndësishëm institucionalë drejt dokumentimit të kujtesës historike të luftës në Kosovë, dhe një kontribut thelbësor në procesin e drejtësisë dhe ndërgjegjësimit kolektiv.