Ky shkrim është “një poezi shpirti” për ata që flasin, mësojnë dhe ruajnë gjuhën e zemrës: shqipen dhe arbërishten. Është një ftesë për të gjithë ne – në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Itali, Zvicër, Amerikë e gjetkë – të mos harrojmë rrënjët tona dhe të flasim me krenari gjuhën tonë të bukur.
Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, ruajtja e identitetit kombëtar dhe e trashëgimisë kulturore bëhet një sfidë e përhershme. Por, me binjakëzimin e dy shkollave – “Shkolla Shqipe” në Zvicër dhe “Shkolla Arbëreshe” në Ungra – vjen një shembull frymëzues, një rreze shprese që tregon se rrënjët nuk thahen; përkundrazi – kur ujiten me dashuri dhe përkushtim – ato lulëzojnë fuqishëm.
Nxënësit e Shkollës Shqipe në Zvicër, nën drejtimin e mësuesit, dr. Vaxhid Sejdiu, janë bërë “misionarët e rinj” të gjuhës dhe kulturës arbëreshe. Nëpërmjet një bashkëpunimi të veçantë me shkollën arbëreshe në Ungra të Italisë, drejtuar nga mësueset Nicoleta Buono dhe Maria Tolisano, ata po ndërtojnë ura të forta lidhjeje mes dy brigjeve të identitetit tonë: asaj që jeton në diasporë dhe asaj që ruhet me krenari në tokën arbëreshe.
Ky binjakëzim shkollash, i mbështetur nga Qendra Albanologjike për Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe, themeluar nga At Antonio Bellusci dhe sot e udhëhequr me pasion nga znj. Ornela Radovicka, Tommaso Bellusci, Tommaso Ferrari dhe Rexhep Rifati, nuk është thjesht një bashkëpunim formal, por një akt dashurie ndaj gjuhës së të parëve dhe një përpjekje për ta mbajtur të gjallë atë në zemrat e brezave të rinj.
Vizita katërditore e nxënësve shqiptarë nga Zvicra në qytetin arbëresh të Ungrës, e realizuar në kuadër të projektit me emrin domethënës “Mos harromi gluhën”, kulmoi me një ceremoni të veçantë në Bibliotekën “Antonio Bellusci”. Aty, në praninë e emrave të lartpërmendur, nxënësit u nderuan me certifikata mirënjohjeje si ambasadorë të vërtetë të trashëgimisë arbëreshe.
Në këtë ceremoni, që u kthye në një festë të gjuhës, kujtesës dhe përkatësisë, u shpërndanë libra të çmuar mbi gjuhën arbëreshe – përfshirë antologjinë mbi të folmen arbëreshe dhe fjalorin në tri gjuhë, si dhe një libër me shprehje frazeologjike të përgatitur nga vetë At Bellusci. Por dhurata më simbolike ishte vënia në kokë e plisit që kishte mbajtur At Antonio Bellusci, të cilin e kishte marrë dhuratë nga 4 mijë shqiptarë të diasporës në SHBA gjatë një konference sensibilizuese për çështjen e Kosovës në vitin 1989, në praninë e senatorit arbëresh Josif Dioguardi. Dhe tani, po të njëjtin plis, gjatë marrjes së certifikatave dhe shënimeve të tyre në librin e kujtesës për Antonion Bellusci, nxënësit e vendosën në kokë si kurorë nderi dhe përkushtimi.
Të udhëhequr nga mësuesit e tyre të palodhur, këta fëmijë dëshmojnë se integrimi nuk do të thotë asimilim, por bashkëjetesë me dinjitet, me vetëdije për prejardhjen dhe dashuri për trashëgiminë.
Ky projekt u përkrah nga shumë organizata dhe personalitete të botës shqiptare në diasporë: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Poetëve në Mërgatë, Shoqata “Hora e Arbëreshëve” me seli në Zvicër, si dhe gazetari i njohur dhe anëtar nderi i Qendrës Albanologjike, Rexhep Rifati, që përçoi mesazhin e fuqishëm të kësaj nisme në publikun më të gjerë.
Nxënësit e Shkollës Shqipe në Zvicër sot jo vetëm që mësojnë gjuhën shqipe, por e jetojnë edhe gjuhën dhe kulturën arbëreshe si pasuri kombëtare. Ata e ndiejnë të folmen arbëreshe si një melodi të ngjashme me gjuhën e gjyshërve të tyre; e ndjejnë kulturën si një pjesë të pazëvendësueshme të identitetit të tyre. Ata flasin me dashuri për kostumet tradicionale, për vallet, për historinë dhe gjeografinë e rrënjëve të tyre – duke u bërë, pa e ditur, shtylla mbi të cilën do të qëndrojë kultura shqiptare në diasporë.
Këta janë fëmijët që na kujtojnë se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por është fryma jonë kolektive, kujtesa jonë e përbashkët. Le t’i duartrokasim ata, le t’i mbështesim dhe mbi të gjitha – le të mos harrojmë kurrë:
“Mos harromi gluhën tonë të bukur, se ajo tingëllon në natyrën dhe shpirtin e gjakut tonë të shpërndarë.”