Manifestimet e “Vidovdanit”, të zhvilluara më 28 qershor, kanë kaluar pa incidente madhore, por Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të parandaluar çdo akt që mund të rrezikonte rendin dhe sigurinë publike.
Në një njoftim për mediat, Policia konfirmon se 17 persona janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim, pasi akuzohen për provokim të turmës, nxitje të urrejtjes dhe mbajtje të veshjeve me përmbajtje nxitëse e provokuese – të gjitha këto në kundërshtim me ligjin.
“Manifestimet kanë kaluar kryesisht qetë dhe pa incidente madhore. Referuar informacioneve nga njësitet policore të angazhuara në terren, nuk është raportuar ndonjë rast i cili ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të 17 personave në stacion policor për intervistim”, thuhet në komunikatë.
Sipas autoriteteve, të gjitha veprimet janë realizuar në koordinim të plotë me organet e drejtësisë. Si rezultat, njërit prej të ndaluarve iu shqiptua masa e ndalimit nën dyshimin për armëmbajtje pa leje, ndërsa një tjetër mori fletëparaqitje për kundërvajtje. Katër persona u liruan pas intervistimit, ndërsa 11 të tjerët janë ende në procedurë.
Policia ritheksoi përkushtimin për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, duke theksuar se çdo akt provokues do të trajtohet me rigorozitet sipas ligjit.
Njoftimi i Policisë së Kosovës
Policia e Kosovës menaxhoi situatën e sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për ‘Vidovdan”
Prishtinë, më 28 qershor 2025
Policia e Kosovës, siç e ka bërë të ditur edhe përmes njoftimit zyrtar të dt. (27.06.2025), lidhur me manifestimet e “Vidovdan-it”, me kohë ka ndërmarrë masat operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar.
Përmes ndërmarrjes së masave të nevojshme koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, manifestimet kanë kaluar kryesisht qetë dhe pa incidente madhore.
Referuar informacioneve nga njësitet policore të angazhuara në terren, nuk është raportuar ndonjë rast i cili ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të 17 personave në stacion policor për intervistim, të cilët kanë provokuar masën, duke kryer nxitje të urrejtjes dhe posedonin veshje me përmbajtje provokuese e nxitëse, në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, me vendim të të cilëve një të dyshuari i është shqiptuar masa e ndalimit mbi dyshimin e bazuar për veprën penale armëmbajtje pa leje, një tjetri i është shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje, 4 të tjerë janë liruar, kurse 11 të tjerë janë në procedurë të intervistimit.
Policia e Kosovës falënderon qytetaret për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar, si dhe njëherit i sigurona ata se PK-ja do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.