Një delegacion nga Fondacioni Arbëresh, me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka realizuar një vizitë zyrtare në vend, me qëllim forcimin e lidhjeve historike, kulturore dhe institucionale ndërmjet komunave arbëreshe dhe Kosovës.
Delegacioni, i kryesuar nga z. Ernesto Madeo – Komisioner i Fondacionit Arbëresh dhe Kryetar i Bashkisë San Demetrio Corone – përfshinte përfaqësues të lartë nga bashkitë San Cosmo Albanese, Frascineto, Cerzeto dhe Caraffa di Catanzaro. Ata zhvilluan takime të rëndësishme në Presidencë, Komunën e Prishtinës, Universitetin e Prishtinës, si dhe në institucione arsimore e kulturore të vendit.
Në kuadër të vizitës, delegacioni vizitoi disa lokalitete të trashëgimisë kulturore dhe historike, përfshirë Muzeun Etnologjik, Bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, Katedralen e Prishtinës, Parkun Arkeologjik Ulpiana, si dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ndalesa të tjera përfshinë Novobërdën, Letnicën, Stubëllin, Ferizajn, Suharekën dhe Prizrenin.
Në takimet zyrtare u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të qëndrueshëm në fusha si arsimi, kultura, diaspora, zhvillimi ekonomik dhe bujqësia. U diskutua gjithashtu mundësia e përfshirjes së studentëve arbëreshë në universitetet kosovare përmes kuotave të veçanta, si dhe vendosja e marrëdhënieve direkte mes universiteteve përmes marrëveshjeve bashkëpunimi.
Delegacioni arbëresh mori pjesë edhe në ceremoninë e shënimit të Ditës së Çlirimit të Komunës së Prishtinës dhe në Panairin e Librit, ku shprehu mirënjohje për ftesën dhe për mikpritjen institucionale që u rezervua gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.