Pas tridhjetë vitesh heshtje, gazetarja italiane Lucia Esposito vjen me një rrëfim tronditës dhe prekës mbi një vajzë shqiptare, viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore, që u vra mizorisht në tokën italiane. Historia e saj ka frymëzuar romanin më të ri të autores me titull “Sorelle Spaiate”, botuar nga shtëpia botuese Giunti.
Në fund të viteve ’90, Lucia Esposito – atëherë një gazetare e re nga Napoli në praktikë në një të përditshme milaneze – u ndesh me realitetin e errët të prostitucionit të detyruar. Pikërisht në këtë kohë ajo njohu Ershelën, një vajzë e re shqiptare e mbërritur në Itali me ëndrrën për një jetë më të mirë, por që përfundoi e shfrytëzuar në rrugë, nën kërcënimin se familja e saj në atdhe do të pësonte pasoja nëse ajo nuk bindjej.
Ershela besonte se kishte ardhur në Itali me njeriun që e dashuronte, por ai ishte në të vërtetë trafikanti i saj. Rrugën për të shpëtuar e gjeti në komunitetin e don Benzi-t, një prift i njohur për përpjekjet e tij në ndihmë të grave viktima të trafikimit. Aty, Lucia e intervistoi për herë të parë.
“Ershela më besoi menjëherë dhe më rrëfeu gjithçka. Ishte vetëm 20 vjeç, por e ndjeja sikur kishte jetuar një jetë të tërë,” kujton Esposito. Ajo i tregoi se i rezistonte dhunës duke shkruar letra për motrën e saj të vogël në Shqipëri – letra që nuk i dërgonte kurrë, nga frika se mos i gjendeshin nga shfrytëzuesit e saj.
Por pak kohë pas intervistës, Lucia lexoi një njoftim të vogël në gazetë për vrasjen e një vajze shqiptare. Menjëherë kuptoi se ishte ajo – Ershela ishte vrarë nga trafikanti i saj, pasi kishte tentuar të largohej dhe të strehohej në shtëpinë e don Benzi-t.
Pas shumë kërkimesh, gazetarja gjeti letrat që Ershela kishte shkruar për motrën e saj, Alina. Ato u bënë bërthama e romanit Sorelle Spaiate, një homazh i ndjerë për guximin dhe shpirtin e një vajze që nuk e lejoi errësirën ta fshinte plotësisht.
“E kam ruajtur historinë për 30 vjet,” thotë Esposito, “por nuk më dukej më e drejtë të heshtja. E ndjeva si detyrim moral të ktheja zërin e saj në jetë.”
Mesazhi i romanit është i shumëfishtë: fuqia e fjalës, rëndësia e komunikimit, dhe lidhjet shpirtërore mes grave – qoftë edhe kur ato nuk janë motra nga gjaku.
Lucia përfundon me një mesazh që i ka mbetur nga Ershela:
“Gjerat, të bukura apo të këqija, duhen thënë. Sepse të tjerët nuk mund t’i kuptojnë vetë.”
Një fjali e thjeshtë, por thellësisht e vërtetë – dhe që sot, më shumë se kurrë, meriton të dëgjohet.