Pas një jave ankthi dhe kërkimesh intensive, Emilia Veliu, 16 vjeç, u gjet më 23 qershor 2025, duke i dhënë fund makthit për familjarët dhe gjithë ata që ishin angazhuar në kërkimin e saj. Vajza e re shqiptare është aktualisht nën kujdesin e specialistëve dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore dhe psikologjike shkruan gazeta greke Protothema.
Emilia ishte zhdukur pasditen e së hënës, më 16 qershor, në lagjen Petralona të Athinës, teksa kishte dalë për një shëtitje me shoqet. Lajmin për zhdukjen e saj e bëri publik organizata “The Smile of the Child”, më 17 qershor, pasi ishte informuar nga familja. Organizata shpërndau menjëherë detajet identifikuese dhe fotografinë e saj për të sensibilizuar qytetarët.
Alarmi për zhdukjen e Emilias tronditi opinionin publik grek, ndërsa mediat dhe autoritetet vendase e trajtuan rastin me prioritet të lartë. Sipas deklaratës së nënës së saj për median greke Protothema, komunikimi i fundit me vajzën ishte nëpërmjet disa mesazheve shqetësuese, mes të cilëve edhe një që thoshte: “Nuk do të kthehem më në shtëpi”. Familja dyshonte se ky mesazh nuk ishte dërguar nga vetë vajza, por mund të ishte diktuar ose shkruar nga dikush tjetër.
Nëna e Emilias, e cila gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, shprehej se kishte frikë se vajza mund të ishte përfshirë në një shoqëri të rrezikshme ose ishte viktimë e një manipulimi apo rrëmbimi. Halla e adoleshentes deklaroi publikisht se autoritetet greke kishin klasifikuar zhdukjen si rrëmbim dhe se të gjitha pistat hetimore ishin të hapura.
Sot, me gjetjen e Emilias, autoritetet greke konfirmuan se ajo është në gjendje të stabilizuar, por nuk janë bërë ende të ditura rrethanat e zhdukjes së saj. Policia po vazhdon hetimet për të kuptuar çfarë ndodhi gjatë datave 16–23 qershor, si dhe për të identifikuar nëse ka persona të përfshirë në këtë rast.
Organizata “The Smile of the Child” falënderoi publikisht qytetarët dhe mediat për mbështetjen dhe bashkëpunimin në përhapjen e informacionit, ndërsa autoritetet greke u bëjnë thirrje qytetarëve që kanë informacion shtesë të kontaktojnë në numrin emergjent 116000 ose në stacionin më të afërt të policisë.