Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar hapi dyert për një mbrëmje të veçantë poetike të titulluar “Të Jetosh Ëndrrën”, e cila u kthye në një takim të rrallë miqsh, emocionesh dhe vlerash që tejkalojnë kufijtë e gjeografisë. Në qendër të këtij aktiviteti ishte autorja dhe aktivistja e njohur nga Ulqini, Vildana Dibra Zhubi, e cila promovoi librin e saj të parë poetik, “Dy Orë”, një përmbledhje e ndjeshme e ndërtuar mbi përjetime, kujtime dhe reflektime që mbartin gjurmët e një rruge të gjatë jetësore dhe shpirtërore.
Të pranishmit e shumtë – përfaqësues të komunitetit shqiptar, personalitete të njohura të kulturës, artit dhe medias – u përfshinë nga atmosfera e ngrohtë dhe intime që u krijua në sallën e Ambasadës, ku fjalët dhe interpretimet ndërthureshin me muzikën e zërit të pastër të Stina Gërbeshit, që preku shpirtin e audiencës me interpretimin a cappella.
Linda Bazina, organizatore e kësaj mbrëmjeje, e përshkroi me emocion të veçantë ndjesinë e të qenit pjesë e një ngjarjeje kaq të veçantë:
“Një mbrëmje e ngrohtë e me diell shihej nga ballkoni i ndërtesës, e një ndjenjë ngrohtësie, mirësie, miqësie me emocione të forta u përjetuan brenda saj… Faleminderit zonjës së kësaj mbrëmjeje, Vildana Dibra Zhubi, për fjalët dhe këshillat e mençura – në veçanti: be humble – Ji modest!”.
Poezitë e librit “Dy Orë” u intreprteuan me ndjeshmëri nga Anila Kadija, Lirka Kadriu dhe Djellza Zhubi, duke dhuruar emocione të rralla në çdo varg të shqiptuar. Ndërsa vetë ambasadori i Shqipërisë në Britani, Sh.T. Z. Uran Ferizi, i cili e quajti këtë mbrëmje një festë të shpirtit shqiptar në Londër, emocionoi të pranishmit me recitimin e një poezie nga libri – një akt që shënon edhe përfshirjen simbolike të shtetit shqiptar në promovimin e kulturës së diasporës.
Veç kontributit letrar, kjo mbrëmje u kthye edhe në një reflektim për rolin e gruas shqiptare në diasporë, për fuqinë e kujtesës, dhe për domosdoshmërinë që fjala shqipe të qëndrojë gjallë edhe në zemër të metropoleve botërore.
Në fund të aktivitetit, nuk munguan përshëndetjet për bashkëpunëtorët, veçanërisht Asdren Zhubin dhe ekipin organizativ, që me përkushtim sollën një nga ngjarjet më të bukura të komunitetit shqiptar në Londër këtë sezon.
Për autoren Vildana Dibra Zhubi, kjo mbrëmje shënoi jo vetëm një ngjitje letrare, por edhe një përqafim të sinqertë nga bashkëkombësit. “Dy Orë” nuk është thjesht një libër, por një ftesë për të ndalur, për të ndjerë dhe për të ëndërruar – edhe kur jeton larg vendit.
Rrugë të mbarë, Vildana – dhe le të zgjasë sa më gjatë kjo “orë” me fjalën dhe shpirtin shqiptar!






