Në bregdetin e bukur të Adriatikut, në qytetin e qetë dhe mikpritës të Fanos, më 14 qershor 2025 u zhvillua edicioni i pestë i “Festës së Popujve” një ngjarje që tashmë është bërë simbol i harmonisë ndërkulturore në këtë zonë. E organizuar me pasion dhe vizion nga Don Sandro, kjo festë i kushtohet miqësisë, bashkëjetesës dhe respektit mes kulturave të ndryshme që bashkëjetojnë në Itali.Në mesin e komuniteteve pjesëmarrëse, spikati me krenari edhe komuniteti shqiptar, përfaqësuar nga Shoqata Ilirianët ODV dhe shkolla shqipe “Migjeni”. Aktivitetet u zhvilluan në tensostrukturën e Lido-s së Fanos, ku ngjyrat, aromat dhe tingujt nga e gjithë bota krijuan një mozaik të jashtëzakonshëm.
Fëmijët e shkollës “Migjeni” emocionuan të pranishmit me një program artistik të përgatitur me dashuri dhe përkushtim. Ata interpretuan këngën “Tring zilja”, Arxhejsa Perdja përcolli ndjenja të thella me këngën “Për ty atdhe”, ndërsa të gjithë së bashku i dhanë jetë një valleje tradicionale kosovare, që u mirëprit me duartrokitje të gjata.
Një tjetër element i veçantë ishte stenda shqiptare, e përgatitur nga Shoqata Ilirianët ODV dhe vullnetarët e saj, e cila u shqua për ngjyrat kuq e zi dhe mikpritjen tradicionale. Vizitorët shijuan gatime të përgatitura me përkushtim nga vullnetaret ,byrek, pispilli, qofte dhe revani – ushqime që ishin më shumë se thjesht pjatanca; ishin pjesë e identitetit dhe shpirtit shqiptar.
Festa mblodhi komunitete nga shumë vende: Moldavi, Ukrainë, Palestinë, Nigeri, Peru, Marok, Bangladesh e të tjerë, duke sjellë të gjithë së bashku këngët, vallet, veshjet dhe shijet e tyre tradicionale. Ishte një ditë e pasur me emocione, ku kultura nuk ishte pengesë, por një urë që bashkon.
“Festa e Popujve” në Fano është më shumë se një festë – është një dëshmi e gjallë e bashkëjetesës paqësore, një hapësirë ku fëmijët mësojnë vlerat e tolerancës dhe ku komunitetet ndihen të përfshira, të dëgjuara dhe të vlerësuara.
Festa e Popujve në Fano – Një Urë Miqësie dhe Kulture mes Kombeve falënderim i veçantë i shkon Don Sandro-s për organizimin, Shoqatës Ilirianët ODV për angazhimin, shkollës “Migjeni” për përgatitjen e fëmijëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për ta bërë këtë ditë kaq të bukur dhe domethënëse. Në brigjet e Fanos, u ndërtua sërish një urë – një urë që afron, frymëzon dhe tregon se në shumëllojshmëri gjendet pasuria më e madhe e një shoqërie.
Nga – Valbona Prendaj Marku