Ledian Goga, emigranti shqiptar që preku zemrat e të gjithëve javën e kaluar me aktin e tij të guximshëm, ka folur për herë të parë për mediat greke pas tragjedisë në lumin Arahthos, ku u hodh për të shpëtuar dy fëmijë, të moshës 12 dhe 14 vjeç.
Edhe pse arriti t’i nxjerrë nga uji, të miturit fatkeqësisht pësuan vdekje klinike dhe prindërit e tyre morën vendimin e dhimbshëm për të dhuruar organet.
“Jam baba, dhe bëra atë që do të bënte çdo prind për një fëmijë në rrezik. Nuk bëra heroizëm, bëra atë që më tha zemra. E mendova sikur ishte fëmija im aty brenda,” tha Goga në një deklaratë prekëse për mediat.
Historia e tij bëri jehonë në mbarë Greqinë. Pas aktit të tij, qeveria greke vendosi t’i japë nënshtetësinë, një lajm që ai e priti me përulësi.
“Nuk e bëra për nënshtetësinë, nuk kisha asnjë motiv për famë apo përfitim. Jam 20 vjet këtu, herë me dokumente, herë pa. Erdha në Greqi 17 vjeç, tani jam 41. Ky është vendi ku kam kaluar jetën time. Greqia është si atdheu im i dytë.”
Aktualisht, gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar, megjithëse mjekët kanë konstatuar pak ujë dhe gjak në mushkëri. Ai falenderoi mjekët në Artë dhe Patra, si dhe ministrin e Shëndetësisë që e telefonoi personalisht për t’u interesuar për shëndetin e tij.
Në një apel prekës, Goga kërkoi ndihmë për prindërit e njërit prej fëmijëve që humbi jetën, të cilët janë emigrantë pa dokumente të rregullta. “Kanë vetëm 20 ditë afat me dokumentet. Rrezikojnë gjobë nëse dalin nga vendi. Duan vetëm të qëndrojnë këtu dhe të vendosin një lule mbi varrin e djalit të tyre. I lutem shtetit t’i ndihmojë,” tha ai.
Ai bëri edhe një thirrje për marrjen e masave parandaluese në lumin Arahthos: “Aty lumi është shumë i thellë, deri në 7 metra. Është shumë i rrezikshëm. Duhet vendosur një tabelë paralajmëruese që të mos përsëritet më kjo tragjedi.”
Në përfundim, Ledian Goga tregoi se do t’i bëjë tatuazh fytyrat e fëmijëve që u përpoq të shpëtonte – si një mënyrë për t’i mbajtur gjithmonë në zemrën e tij. Një akt i thjeshtë, njerëzor dhe thellësisht prekës që ka bërë që shumë grekë dhe shqiptarë ta quajnë tashmë “heroin e lumit”.