Kruja vijon të afirmohet si një nga destinacionet kryesore të turizmit kulturor në Shqipëri, me Qendrën Muzeore Krujë që ka pritur mbi 65 mijë vizitorë gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur këto shifra, duke theksuar rëndësinë e Krujës në hartën kulturore dhe turistike të vendit.
Më shumë se 55 mijë vizitorë kanë zgjedhur të vizitojnë Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i cili ruan historinë dhe trashëgiminë e një prej figurave më të shquara të kombit shqiptar. Ndërkaq, Muzeu Etnografik i Krujës ka pritur rreth 10 mijë vizitorë, të cilët kanë eksploruar objekte që pasqyrojnë jetën tradicionale të rajonit.
Ministri Gonxhja theksoi se këto shifra tregojnë një rritje të vazhdueshme të interesit për historinë dhe kulturën shqiptare, duke bërë që Kruja të jetë një nga pikat kyçe të turizmit kulturor në vend.
Kruja mbetet simbol i krenarisë kombëtare, ndërkohë që muzetë dhe atraksionet e saj po tërheqin vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë saj, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.



