Teatri Shqiptar “Mërgimtari“ i Kroacisë morri pjesë në Festivalin e Monodramës Shqipe “Flas shqip”, që u mbajt në Tiranë prej nga 29 maji deri më 4 qershor organizuar nga Teatri “Zonja e Bujtinës” dhe mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit së Shqipërisë me shfaqjen “Qen… bir i një qeni“ të autorit Ferdinand Hysi, me regji të Milto Kutalit dhe aktor Leonard Hamitaj.
Vepra u mirëprit nga spektatorët, artistët dhe organizatorët, ndërsa aktori fierak Hamitaj, i cili jeton në Kroaci me lojën e tij solli një qënie që përpëlitet mes dilemave, keqtrajtimit të izolimit komunist, burgut të shoqërisë dhe individit, të cilat erdhën bindshëm për spektatorin.
Gjatë një jave u ndoqën 7 vepra të dramaturgëve shqiptarë me 7 regji të ndryshme, 7 aktorë, 7 skenografë e kompozitorë, që pasuruan jetën artistike të kryeqytetit, nën kujdesin e çiftit të aktorëve Rajmonda dhe Naund Shundit.
Ndër çmimet e dhëna nga juria e festivalit e përbërë nga: Bujar Kapexhiu, Raimonda Bulku, Bujar Asqeriu për regjinë, aktoren, aktorin më të mirë, autori i skenarit të shfaqjes “Qen.. bir i një qeni“ Ferdinand Hysi u vlerësua me çmimin Dramaturgu më i mirë.
Jemi shumë krenarë për këtë çmim dhe se Teatri Mërgimtari, ka ditur të zgjedhë vepra me vlerë të dramaturgjisë shqiptare. Prej vitesh ka vënë në skenë vepra të dramaturgëve shqiptarë, duke promovuar dramaturgjinë shqiptare në rajon dhe Europë. Me dramaturgun Ferdinand Hysi Teatri Mërgimtari ka një bashkëpunim shumëvjeçar, që prej vitit 2018, duke vënë në skenë tre veprat e tij në shqip dhe kroatisht si komedinë „Tre mendje në ankand“, që është shfaqur 8 herë në gjuhën kroate nga një kast aktorësh multietnikë në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë; monodramën „Lopata e Artë“ shfaqur 16 herë në Shqipëri, Kosovë, Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut.
Me monodramën “Lopata e Artë” të po këtij autori në Festivalin e Monodramës MonoAkt në Pejë, në 2021, aktori Leonard Hamitaj u shpall Aktori më i mirë, ndërsa në Festivalin ALBAMONO në Korçë, kjo shfaqje morri çmimin për Regjinë më të mirë, kurse Leonard Hamitaj iu dha nga juria e festivalit çmimi Dhimiter Orgocka.
Teatri Shqiptar Mërgimtari është shëmbulli më i mirë i veprimtarisë së artistëve shqiptarë në diasporë, pasi gërsheton dhe promovon dy kulturat shqiptare e kroate, duke i ofruar publikut kroat dhe të rajonit dramaturgjinë shqiptare në gjuhën kroate, ndërsa publikut shqiptar të diasporës dhe të trojeve shqiptare vepra të autorëve shqiptare dhe kroatë në gjuhën shqipe.
Nga Melita Orešković