Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka mohuar me vendosmëri akuzat e ngritura nga nënkryetarja e Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, Marinika Tepiç, lidhur me përfshirjen e tij në rrjete kriminale të trafikut të drogës.
Në një paraqitje publike të transmetuar përmes videoprojektori, Tepiç shfaqi imazhe të pakove me drogë në të cilat, sipas saj, shihej fytyra e presidentit serb. Ajo akuzoi Vuçiçin për lidhje të mundshme me kartelet e drogës përmes kontakteve me Filip Koraqin, i cili në vitin 2023 u ekstradua nga Hungaria në Francë dhe është i dyshuar për kontrabandë narkotikësh.
Vuçiç iu përgjigj publikisht këtyre pretendimeve, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe duke ofruar një version personal të një rasti që sipas tij ka ndikuar në jetën familjare:
“Dua t’ju kujtoj se në vitin 2017 u arrestua një grup prej 10 personash për shkak të një sulmi ndaj djalit tim. Ata ishin të armatosur. Ndoshta atëherë kam bashkëpunuar me dikë, vetëm për të mos i ndodhur asgjë fëmijës tim,” deklaroi presidenti.
Ai tregoi një fotografi të presidentit të Kolumbisë, duke thënë se Tepiç gabimisht e kishte prezantuar atë si Vuçiçin.
Në vijim të deklaratës, Vuçiç lexoi një komunikim të supozuar në aplikacionin “Sky ECC” mes Radoje Zvicerit, një figurë e njohur në botën e krimit, dhe avokatit Dejan Lazareviç, për të mohuar çdo lidhje me këtë rrjet.
“Nuk kam parë kurrë drogë në jetën time dhe i dëshiroj më të keqen shpërndarësve të drogës. Asnjëherë nuk e kam pasur aplikacionin Sky, as unë dhe as kush nga familja ime. Nëse kjo del të mos jetë e vërtetë, unë nuk do të jem më president,” theksoi ai.
Vuçiç kërkoi nga Prokuroria për Krimin e Organizuar të dalë publikisht me një qëndrim lidhur me hetimet dhe të bëjë transparencë për çdo komunikim që është përfshirë në këtë çështje, përfshirë edhe rolin e mediave.
Sakaq, Tepiç njoftoi se në ditët në vijim do të publikojë të tjera prova dhe informacione që, sipas saj, lidhin presidentin serb me organizata kriminale ndërkombëtare që merren me trafikun e drogës.
Polemikat mes palëve po zhvillohen në një klimë politike të tensionuar në Serbi, ku opozita ka rritur tonet e akuzave ndaj qeverisë për lidhje me botën e krimit dhe mungesë transparence.