Administrata e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të caktimit të takimeve për vizat studentore në të gjitha ambasadat amerikane në mbarë botën, ndërsa përgatitet të zgjerojë kontrollet mbi aktivitetin në rrjetet sociale të aplikantëve.
Sipas një memorandumi zyrtar, do të përforcohet vlerësimi i aplikantëve për viza studentore dhe shkëmbimesh ndërkombëtare, gjë që pritet të ketë “pasoja të rëndësishme” për ambasadat dhe konsullatat amerikane.
Ky vendim vjen në kuadër të një ofensivë të gjerë të administratës Trump ndaj universiteteve elitare amerikane, të cilat ai i akuzon për qasje të majtë dhe për dështim në luftimin e antisemitizmit, sidomos pas protestave pro-palestineze në kampuse universitare.
Në reagim ndaj këtij vendimi, Kina i ka bërë thirrje SHBA-ve të mbrojnë të drejtat e studentëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe ata kinezë. “I bëjmë thirrje SHBA-ve të mbrojnë realisht të drejtat dhe interesat legjitime të studentëve ndërkombëtarë,” tha një zyrtar kinez. Mijëra studentë nga Kina ndjekin studimet në universitetet amerikane.
Universitetet amerikane pritet gjithashtu të reagojnë negativisht, pasi një pjesë e mirë e të ardhurave të tyre vjen nga studentët ndërkombëtarë, të cilët paguajnë tarifa më të larta.
Aplikantët për viza studentore janë të detyruar të kryejnë intervista në ambasadat amerikane në vendet e tyre para se të marrin miratimin për vizë. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, deklaroi: “E marrim shumë seriozisht procesin e vlerësimit se kush hyn në vendin tonë, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.”
Memorandumi, i cituar nga CBS News, kërkon që ambasadat amerikane të fshijnë çdo takim të pashfrytëzuar për aplikime për viza studentore, ndërsa ato që janë tashmë të planifikuara do të vijojnë normalisht. Kjo ndërprerje do të zgjasë “deri në një njoftim të dytë”, shkroi Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Memorandumi përfshin edhe zgjerimin e kontrollit të rrjeteve sociale për të gjithë aplikantët për viza studentore, megjithëse nuk jep detaje se çfarë lloj aktiviteti kërkohet ose penalizohet.
Sipas një raporti të mëparshëm të “The Guardian”, administrata Trump e kishte përforcuar tashmë kontrollin mbi rrjetet sociale të studentëve, në kuadër të një përgjigjeje ndaj protestave pro-palestineze që janë zhvilluar në kampuse.
Në prill, Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare njoftoi se aktivitetet antisemitike në rrjetet sociale dhe ngacmimet fizike ndaj individëve hebrenj mund të përbëjnë arsye për refuzim të vizave dhe përfitimeve të tjera të imigracionit.
Pjesë e kësaj fushate është edhe ngrirja e qindra milionë dollarëve financime për universitetet dhe revokimi i mijëra vizave për studentët ndërkombëtarë – masa që në shumë raste janë bllokuar nga gjykatat.
Një ndër institucionet më të goditura është Universiteti i Harvardit, ndaj të cilit janë ngrirë mbi 2.6 miliardë dollarë grante federale, ndërsa është pezulluar edhe e drejta për të regjistruar studentë ndërkombëtarë ose për të pritur studiues të huaj. Një gjykatës federal e ka bllokuar përkohësisht këtë vendim.
Nëse kjo masë zbatohet, mund të ketë pasoja të rënda për Harvardin, ku mbi një e katërta e studentëve janë nga jashtë SHBA-ve. Studentët kanë protestuar kundër vendimit në kampusin e universitetit pranë Bostonit.
Ekspertët dhe organizatat për të drejtat civile e kanë kritikuar këtë politikë si një tjetër shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane, që garanton lirinë e shprehjes. Megjithatë, Presidenti Trump është shprehur vazhdimisht se veprimet e tij synojnë mbrojtjen e lirisë së fjalës.