Pothuajse të gjithë kanë ndjerë ndikimin magjik të filmave si “Gladiatori”, “Mumja”, “Aladini” apo “Lawrence of Arabia”, ashtu si dhe të famshmëve Spaghetti Western (filmave me kauboj) të prodhuara nga Hollivudi. Por vetëm ata që janë vërtet të apasionuar pas botës së kinemasë e dinë se shumica e këtyre filmave nuk janë xhiruar në vendet ku zhvillohet ngjarja, por në lokacione me kosto më të ulët dhe peizazhe mbresëlënëse – si Maroku dhe Spanja.
Në Marok ndodhen disa nga studiot më të mëdha filmike në botë, të specializuara për xhirime në shkretëtirë, ndërsa qyteti port i Essaouira njohu një bum turistik falë xhirimeve të serialit të famshëm Game of Thrones. I njëjti serial i dha jetë të re turizmit edhe në Kroaci, me skenat e realizuara në Dubrovnik. Ndërkohë, në Almería të Spanjës, gjatë viteve 1920-2020 janë xhiruar pjesa më e madhe e filmave me kauboj që krijuan një zhanër më vete: Spaghetti Western. Në Ballkan Rumania e Bullgaria janë disa hapa para në këtë fushë.
Por pyetja që shtrohet është: A ka Shqipëria potencialin për të qenë destinacioni i radhës për produksionet ndërkombëtare? A mund të ofrojë vende xhirimi që të magjepsin ekranin global?
Pikërisht këtë po eksplorojnë gjigandët e industrisë filmike botërore. Përfaqësues nga studio si HBO, Warner Bros, Amazon, Disney, Paramount dhe NBCUniversal kanë mbërritur në Shqipëri në kuadër të nismës “Fam Tour Albania”, një turne eksplorues për të vlerësuar potencialin filmik të vendit tonë.
Gjatë një vizite disaditore në qytete të ndryshme të Shqipërisë, delegacioni ndërkombëtar është njohur nga afër me bukuritë natyrore, trashëgiminë historike dhe larminë kulturore që mund të shndërrohen në skena unike për xhirime dhe bashkëprodhime të mëdha filmike.
Në takimin e mbajtur në Tiranë, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, shprehu përkushtimin e qeverisë për të ndërtuar një ekosistem konkurrues për industrinë kreative, përmes lehtësirave fiskale, reformave ligjore dhe investimeve në infrastrukturë moderne. Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e formimit profesional për të përgatitur talentet vendase.
Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është hapja e qendrës “Tirana Training Institute”, në bashkëpunim me Catalyst Story Institute – një nga institucionet më të njohura amerikane për zhvillimin e skenaristëve dhe profesionistëve të filmit. Kjo qendër do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve vendase dhe ndërkombëtarizimin e industrisë filmike shqiptare.
Gjatë kësaj vizite, producentët dhe përfaqësuesit e industrisë globale të filmit panë nga afër mundësitë që Shqipëria ofron jo vetëm si sfond natyror, por edhe si një skenë rrëfimesh autentike dhe pasuri kulturore të papërsëritshme.
“Fam Tour Albania” do të vijojë me ndalesa në qytete të tjera të vendit, në një përpjekje për të pozicionuar Shqipërinë si një qendër të re kreative në Evropë dhe për të sjellë projekte konkrete filmike që do të sjellin punësim, zhvillim dhe promovim ndërkombëtar.
Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri për Shqipërinë – një mundësi reale për t’u kthyer në destinacionin e radhës për kinemanë botërore.




