Ka nisur nga Shqipëria, stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe 25”, një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë. E drejtuar nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (USEUCOM) dhe e zhvilluar në bashkëpunim me vendet aleate të NATO-s dhe partnerët strategjikë, stërvitja do të zgjasë deri më 9 qershor 2025.
Në orët e para të mëngjesit të së martës, trupat do të nisen nga Zall-Herri drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, ku do të zhvillohen fazat intensive të manovrave ushtarake, përfshirë operacione mësymëse, mbrojtëse dhe dislokime strategjike në terren të vështirë.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, në një postim në rrjetet sociale sot, ndau pamje nga translokimi i trupave në Zall-Herr.
“Nga Zall-Herri ku në orët e para të mëngjesit, trupat e Forcës Tokësore janë nisur drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, për të filluar zyrtarisht Defender Europe 25 – një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë”, shkruan Vengu.
Në “Defender Europe 2025” që këtë vit shtrihet në tri zona gjeografike të Evropës do të angazhohen 25 mijë ushtarakë nga 29 shtete të NATO-s dhe vendeve partnere.
“Në zonën e Evropës juglindore ku hyn edhe Kosova do të marrin pjesë 12.000 ushtarakë nga 19 shtete. Republika e Kosovës do të jetë vend nikoqir në mesin e 18 vendeve nikoqire dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë me përafërsisht 1.000 trupa në ushtrimet që do të zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut”, u shpreh Kryeministri Albin Kurti në një dalje publike.
Ky ushtrim, thotë Kurti, ka rëndësi të madhe për rritjen e ndërveprueshmërisë së FSK-së me ushtritë e vendeve partnere dhe tregon për rritjen e besimit që SHBA-të dhe partnerët kanë në Qeverinë e Republikës, Ministrinë e Mbrojtjes dhe para së gjithash në profesionalizmin e ushtrisë.
Stërvitja “Defender Europe 25” ka për qëllim të rrisë gatishmërinë, ndërveprueshmërinë dhe aftësinë e forcave të SHBA-së, NATO-s dhe vendeve partnere për të vepruar në mënyrë të koordinuar në një mjedis të ndërlikuar operativ. Skenari është ndërtuar sipas Nenit 5 të Traktatit të NATO-s, që simulon mbrojtjen kolektive të aleatëve në rast të një sulmi ndaj ndonjërit prej tyre.
Aktivitetet ushtarake do të përfshijnë një sërë operacionesh të shkallës së gjerë në disa shtete të Evropës, me fokus të veçantë në Shqipëri dhe Kosovë, ku do të zhvillohen trajnime për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurimin e pikave të imbarkimit dhe menaxhimin e logjistikës së avancuar.



