Në kuadër të Presidencës greke të Nismës Adriatiko-Joniane, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, mori pjesë sot në Konferencën e 13-të të kryetarëve të parlamenteve të kësaj Nisme, e cila u zhvillua në Janinë.
Në sesionin “Perspektiva Europiane dhe rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor”, znj. Spiropali theksoi se Bashkimi Europian ka nevojë për një zgjerim strategjik, ku vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, përbëjnë tashmë një vlerë të shtuar, jo një barrë. Ajo u ndal në zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, ku pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, shumica qeverisëse u rikonfirmua me një mandat të qartë për anëtarësimin në BE deri në vitin 2030.
“Shqipëria ka vetëm një Plan A, dhe ai është Bashkimi Europian”, – u shpreh Spiropali, duke kujtuar se Samiti i Gjashtë i Komunitetit Politik Europian, i mbajtur për herë të parë në një vend të Ballkanit Perëndimor, ishte një tjetër dëshmi e rolit udhëheqës të vendit në rajon.
Kryetarja e Kuvendit foli edhe për ecurinë e negociatave të anëtarësimit me BE, duke theksuar se deri më tani janë zhvilluar pesë konferenca ndërqeveritare, e fundit më 22 maj në Bruksel, dhe Shqipëria synon çeljen e kapitujve brenda vitit 2025.
Ajo nënvizoi po ashtu kontributin e vendit në sigurinë rajonale, politikën e jashtme të harmonizuar me BE-në, partneritetin strategjik me SHBA-të dhe lidershipin në bashkëpunimin rajonal, duke e cilësuar Shqipërinë si një shembull të stabilitetit dhe vullnetit integrues në Ballkan.
Gjatë vizitës në Janinë, znj. Spiropali ndaloi edhe në Konsullatën e Shqipërisë ku u prit nga Konsullja Irida Laçi. Ajo vlerësoi punën dhe angazhimin e ekipit diplomatik shqiptar për mbështetjen që i ofrojnë bashkëkombasve në Janinë e më gjerë.
Një moment i veçantë i vizitës ishte ndalesa pranë gjimnazit historik “Zosimea”, një nga institucionet më prestigjioze arsimore të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, ku janë shkolluar shumë personalitete të shquara shqiptare të Rilindjes Kombëtare. “Këto rrënjë të forta kulturore dhe arsimore janë dëshmi e lidhjeve të thella mes dy vendeve dhe popujve tanë”, theksoi ajo.