Një pensionist shqiptar është shpallur hero në Londër pasi rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar një vajzë të vogël nga mbytja në një pjesë të rrezikshme të lumit Tamiz.
Hismet Smakaj, 65 vjeç, u hodh pa hezituar në ujë për të nxjerrë nga rreziku një vajzë 7-vjeçare, e cila kishte kërcyer papritur në lumë nga një kangjell metalike në parkun Thames Barrier, në lindje të Londrës shkruan Diaspora Shqiptare.
Ngjarja ndodhi të shtunën, më 17 maj, rreth orës 17:30. Hismeti dhe bashkëshortja e tij po shëtisnin në park pas një shëtitjeje për pazare pranë shtëpisë së tyre në Newham, kur panë vajzën duke qëndruar e ulur në kangjellën pranë lumit. Disa hapa më tej, ata dëgjuan një zhurmë – vajza ishte hedhur në ujë.
“Unë kam fëmijë dhe nipa, kështu që kur e pashë vajzën, instinkti më tha se duhet të veproja menjëherë,” – tha Hismeti për mediat.
“Babai im e pa tek ngjitej mbi kangjellë dhe ndaloi për të parë nëse ishte në rregull. Por sapo bëri tre-katër hapa, ajo u hodh,” – tregoi djali i tij, Euklid Smakaj, për gazetën britanike Metro. “Ajo po mbytej. Babai nuk mendoi dy herë, hoqi tuta dhe u hodh menjëherë.”
Hismeti notoi rreth 5 metra për të arritur vajzën, e cila po fundosej. Ai e kapi për flokësh dhe e tërhoqi drejt bregut, ku u kap pas një strukture metalike për t’u mbajtur në sipërfaqe. Duart iu prenë nga përpjekja, por nuk e la vajzën të mbytej, ndonëse ajo po bërtiste: “Më lër!”, raporton Diaspora Shqiptare.
Gruaja e tij, në panik, thërriste për ndihmë pasi nuk e shihte më burrin. Ndërkohë, kalimtarët hodhën një rreth shpëtimi, por litari u këput. Përfundimisht, disa persona e ndihmuan të ngjitej bashkë me vajzën në një shkallë afër.
Në vendngjarje mbërritën urgjenca, policia dhe zjarrfikësit. Rreth 200 persona ishin mbledhur në breg duke duartrokitur për aktin heroik. “Një burrë i moshuar, që mendojmë se ishte babai i vajzës, i shtrëngoi dorën babait tim dhe i tha: faleminderit,” – tregon Euklidi.
Vajza u kontrollua nga mjekët dhe u konstatua se ishte me spektrin autik. Ndërsa për Hismetin, kjo nuk ishte hera e parë që shpëtonte jetë – në Shqipëri ai kishte shpëtuar më parë dy ushtarë nga mbytja.
Shërbimi i Ambulancës së Londrës konfirmoi se në vendngjarje u dërguan ekipe të shumta për të ndihmuar.



