Nëse keni ndër mend të shijoni një Aperol Spritz këtë verë në një tavolinë buzë detit, nuk është e thënë të udhëtoni drejt rrugicave të ngushta të Napolit apo bulevardeve të ngrohta të Palermos. E vetmja gjë që duhet të bëni, është të shënoni Sarandën në hartën tuaj të pushimeve.
Sipas një indeksi të ri të publikuar nga Eurochange, një kompani britanike e udhëtimeve dhe këmbimit valutor, Saranda është renditur në vendin e pestë në Europë për Aperol Spritz-in më të lirë dhe më të mirë, me një çmim mesatar prej 5.58 eurosh për gotë.
Ky indeks, i quajtur jo pa humor “Indeksi i Aperol Spritz”, ka analizuar çmimet në 39 nga destinacionet më të njohura turistike në kontinent, duke i krahasuar jo vetëm për koston, por edhe për eksperiencën kulturore dhe vlerën për para.
Në krye të listës qëndron Napoli, ku një Aperol Spritz kushton vetëm 2 euro, ndjekur nga Palermo (3.66 euro), ndërsa Varna dhe Burgas në Bullgari mbajnë vendin e tretë dhe të katërt me çmime përkatësisht 4.76 dhe 4.92 euro.
Në një kohë kur Aperol Spritz është bërë simboli veror i Evropës urbane — një përzierje e hidhur e ngjyrës portokalli që fotografohet më shpesh sesa pihet — destinacione si Saranda ofrojnë më shumë se sa një pije freskuese. Ato ofrojnë një atmosferë që konkurron denjësisht me rivierat më të famshme të Mesdheut, por me një çmim më të arsyeshëm dhe një ndjesi më autentike.
Në Londër, një gotë e ngjashme kushton mesatarisht 10 euro, duke e bërë përvojën e pushimeve në jug të Shqipërisë jo vetëm më të shijshme, por edhe shumë më ekonomike.
Indeksi i plotë për 10 destinacionet kryesore për një Aperol Spritz:
Napoli, Itali – 2.00 euro
Palermo, Itali – 3.66 euro
Varna, Bullgari – 4.76 euro
Burgas, Bullgari – 4.92 euro
Saranda, Shqipëri – 5.58 euro
Marmaris, Turqi – 6.61 euro
Gran Canaria, Spanjë – 7.26 euro
Kefalonia, Greqi – 7.16 euro
Zadar, Kroaci – 7.27 euro
Fethiye, Turqi – 8.70 euro
Teksa turizmi veror po ndryshon format dhe preferencat po zhvendosen drejt vendeve më pak të industrializuara nga ana turistike, përfshirja e Sarandës në këtë listë nuk është vetëm një lajm për baristët, por edhe një dëshmi se Shqipëria po hyn në hartën e jetës sociale evropiane, një gotë pas tjetrës.



