Ditën e diel më 4 Maj 2025 – komuniteti shqiptar u mblodh përsëri në “Kensico Dam Plaza” në prefekturën Westchester – New York, për të nderuar atë që Ekzekutivi i Qarkut Westchester tridhjetepesë vjet më parë, e ka shpallur si “Dita e Lirisë së Shqiptarëve” në Nju Jork.
Një aktivitet vjetor, ky, që çdo javë të parë të muajit maj i bën një homazh rezistencës antikomuniste të shqiptarëve të Amerikës, dhe të familjeve të persekutuara shqiptare gjatë regjimit sllavo komunist. Kjo datë përkujtimore është e organizuar nga familja Mrnaçaj në koordinim me zyrtarët lokal nga Ekzekutivi i Qarkut Westchester,.
Ky aktivitet vitet e fundit zhvillohet nën përkujdesjen e Shoqatës Kulturore dhe Artistike “Kelmendi”, në nderim të birit të saj Nick Marash Mrnaçaj, dhe, është i konceptuar si një akademi përkujtimore e cila përfshin fjalime dhe performanca të ndryshme artistike, shoqëruar me recitime e këngë e valle nga Grupi Folklorik Kelmendi.
Të pranishëm në këtë veprimtari ishin dhjetra bashkatdhetarë, nga Shqipëria, Kosova dhe trevat shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në shtetin e Nju Jorkut e përreth tij. Në këtë përkujtimore përveç pjesëtarëve të familjes e bashkatdhetarëve, morën pjesë klerikë e lider të komunitetit, zyrtarët e zgjedhur si dhe përfaqësues institucionesh të kësaj zone, televizionet dhe gazetat lokale, e ato shqiptare, që të nderojnë Nik Mrnaçajn, i cili humbi jetën në një aksident rrugor me 22 Prill, të vitit 1990, në moshën 31 vjeçare.
Në kujtim të Nick Mernaçaj, manifestimi u hap me intonimin e dy himneve kombëtare, himnin Amerikan dhe atë të Shqipërisë, kënduar nga Mikela Nonaj mbesa e vogël e Nik Mernaçaj
Ndërsa, me një minutë heshtje, të pranishmit kan shprehur një respekt të veçantë për të gjithë të rënët për liri e demokraci, dhe me këtë rast edhe një respekt të veçantë për Nick Mernaçaj.
Drejtuesit e kësaj veprimtarie përkujtimore, Sokol Smajlaj dhe Valbona Prelvukaj, në fjalën e hapjes, thanë se “Këtë ditë do të përpiqemi t’a kthejmë në një ditë të vërtetë nderimi e përkujtimi.Ata thanë se “Jemi mbledhur edhe sot në shenj të nderimit në ditën tradicionale të përkujtimit; të nji Kelmendasi, të një malësori, në pranverën e këtij viti, që është 29 vjetori, që dha jetën në aksident, në lule të rinisë, Nikë Marash Mrnaçaj, dëshmori i demokracisë”.
Duke përkujtuar vdekjen e birit të Kelmendit, në Amerikë, drejtuesit e këtij manifestimi thanë në fillim të fjalës së tyre, se: ”Sa herë të vijë Pranvera, më këtë datë do të mblidhemi, së bashku, për të nderuar e respektuar vlera. Të djaloshit Kelmendas rritur në mërgim, Nikë Marash Mernaçaj, me shpirt përkushtimi! Me vendosmëri, kurajo e besim! Për të ardhmen Shqiptare me shumë guxim! Për vlerat njerëzore, për demokracinë, për të vërtetën! Ishte i vendosur, i pa kursyer, deri sa dha jetën”.
Këtë ceremoni përkujtimore e bekoi Dom Pjetër Popaj udhëheqësi shpirtëror i komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork.
Famullitari i Kishës Katolike ”Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj, pas kryerjes së lutjes fetare, kushtuar “Ditës së Lirisë së shqiptarëve”, tha se Nik Marash Mrnaçaj ishte një njeri i ndershëm, krenar dhe i përkushtuar lirisë i vetësakrifikuar për lirinë e Shqipërisë.
Ndërsa kujtojmë me nderim, Nik Marash Mrnaçajn, gjithashtu, me nderim i kujtojmë edhe të gjithë ata kolosa të paharrueshëm që dhanë jetën e tye. “Ne sot për ata ngremë flamurin e Kastriotit, të Shipnise martire gjate shekujve, dhe i faleminderojme për fitoren e lirisë e të Pavarësisë”, tha ai.
Ndërsa duke vazhduar, ai u kujtoi pjesëmarrësve se gjatë kësaj ceremonie të bukur i lusim Zotit, dhe shpirtit te tyre, dhe lutemi njëherësh që populli shqiptar të mësojë prej të kaluarës se tij për te gëzuar lirin e fituar me gjak, të derdhur prej vëllezërve e motrave tona, te marrim pas vetes te gjitha ato gjera qe na bashkojnë e jo ato qe na ndajnë.
Dom Pjetër Popaj, u lut që të duam e të ndihmojmë njeri-tjetrin ne përparim e punën tone: “Dëshmoreve tanë, u qofte lavdue nderi e lavdia dhe për jete qofshin te bekuar emrat e tyre ! Amen!
Folësi kryesorë i kësaj përkujtimore ishte një nga njohësit më të mirë të emigracionit shqiptar në periudhën komuniste e post komuniste në Shqipëri dhe ish- Jugosllavi .
Ai ishte zoti Frank Shkreli, shkrimtar dhe publicist i cili ka qenë gazetar dhe redaktor në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip dhe ka qenë shef i seksionit shqip në periudhën, e Luftës së Ftohtë.
Historia e komunizmit është monstruoze; si e tillë duhet dënuar dhe kujtuar!, u shpreh Shkreli
Duke ju drejtuar atij brezi që nuk e ka përjetuar sllavo komunizmin, zoti Shkreli, tha se ju brezi i sotëm shqiptaro-amerikan duhet të jeni krenarë për qëndresën e nacionalistëve anti-komunistë shqiptaro-amerikanë, siç është familja Mrnaçaj. Sepse, tha ai ata ishin në anën e duhur të historisë!: “Për fat timin, unë kam njohur shumë prej atij brezi të papërsëritshëm. Ç’prej strehimit të tyre në këtë vend të bekuar si refugjatë të arratisur nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës, në këtë vend të lirisë e demokracisë, në Amerikën tonë të dashur ata nuk pushuan asnjëherë përpjekjet e tyre kundër diktaturës komuniste në Atdheun e tyre”
Ashtu si në të kaluarën edhe sivjet, të Djelën me 4 Maj 2025, u shënua “Dita Shqiptare e Lirisë”, (Albanian Freedom Day) në Kensico Dam Plaza në qarkun Westçester të Nju Jorkut – në kujtim, nderim dhe homazh për qëndresën antikomuniste të familjes Mrnaçaj dhe të gjitha familjeve të persekutuara nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në Shqipëri, kujtojë zoti Shkreli, duke vazhduar se më saktësisht, “Dita Shqiptare e Lirisë”, ka filluar 35-vjetë më parë, caktuar e tillë me vendim zyrtar të autoriteteve vendase, si një ditë kujtimi, me veprimtari patriotike, kulturore dhe përkujtimore. Një ditë që i kushtohet, veçanërisht, simbolit të demonstratave antikomuniste në Amerikë birit të familjes Mërnaçaj nga Kelmendi i Malësisë së Madhe, Nikë Mërnacaj.
“Edhe në këtë 35-vjetor, aktivitetet organizohen ashtu si çdo vit nga administrata e qeverisë vendase, “Westchester County Executive’s Office”, në bashkëpunim me Shoqërinë Kulturore – Artistike Kelmendi dhe Familja Mernacaj. Është pra një ditë kushtuar lirisë shqiptare ku, zakonisht, marrin pjesë qindra shqiptaro-amerikanë të Nju Jorkut me rrethe dhe më gjërë. Një ditë që është kthyer tashmë, në një ditë simbolike për Lirinë Shqiptare dhe ngritjen, në këtë ditë, të Flamurit Kuq e Zi në Nju Jork, ku përveç komunitetit shqiptar në këto anë, marrin pjesë edhe përfaqësues të pushtetit lokal si dhe përfaqësues politikë përtej kësaj zone administrative.
“Sot është një ditë përkujtimi dhe nderimi por, njëkohësisht, është edhe një ditë reflektimi. Në këtë përvjetor kujtojmë Nikë Mrnaçaj dhe familjen e vuajtur e të persekutuar Mrnaçaj. Por në këtë “Ditë Shqiptare të Lirisë” në Nju Jork, nuk mund të mos kujtojmë edhe mijëra viktima të komunizmit dhe familjet shqiptare të persekutuara, të internuara e të burgosura nga regjimi komunist enverist, sllavo-aziatik, në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Është pra kjo arsyeja që jemi këtu sot për të kujtuar dhe për të mos harruar krimet e komunizmit në Shqipëri dhe në botë me shpresën që të mos përsëriten më.”
Duke vazhduar me një sfond të shkurtër informacioni për këtë ditë, zoti Shkreli tha se ditë më parë në Washington, gati si në përputhje me këtë aktivitet sot këtu, shumë grupe dhe organizata përfshirë edhe përfaqësi shqiptare, kanë mbajtur një tubim vjetor në kujtim të viktimave të komunizmit botëror, përfshirë viktimat e komunizmit në Shqipëri.
“Edhe, ne jemi sot këtu për të kujtuar krimet djallëzore-barbare të komunizmit shqiptar dhe botëror në trojet tona shumë të vuajtura, sidomos në Kelmend dhe në mbarë Malësinë e Madhe. Jemi këtu për t’i sjell në kujtesë brezit të ri dhe të gjithë atyre që mund të kenë harruar se socializmi skllavëron dhe komunizmi vret – jo më pak se 100-milion – më shumë se çdo ideologji tjetër në histori” tha ai.
Më pas zoti Shkreli tha se një herë në vit mblidhemi këtu për të ndarë përvoja me njëri tjetrin, për të kujtuar vuajtjet e të afërmëve tanë, të persekutuarit dhe të vrarët e pafajshëm nga komunizmi, por jo vetëm, ngase duam që ky tubim të shërbejë gjithashtu edhe për të reflektuar, për t’u betuar se do të vazhdojmë të flasim, të shkruajmë e të demonstrojmë, nëqoftëse është e nevojshme edhe sot, ashtu siç ka demonstruar dikur Nikë Mrnaçaj. Kundër kësaj të keqe djallëzore dhe krimeve kundër njerëzimit; të komunizmit sllavo-aziatik, jo vetëm në trojet tona, por edhe këtu në Amerikë dhe anë e mbanë botës kudo që ajo ideologji përpiqet të përhap frymën e saj anti-njerëzore dhe kriminale.
Duke inkurajuar nëpërmjet fjalës së tij shumë të rinjë e të reja, brezit të lindur në Amerikë, që ndoshta nuk dinë aq shumë për krimet që u janë bërë familjeve të tyre në Shqipëri, në Kosovë, në Malësi e gjetkë, ai tha se pjesëmarrja e tyre në këtë përkujtimore shërben edhe si një rast edukimi për atë histori të errët të Kombit shqiptar.
Në mes të Tiranës dhe anë e mbanë Shqipërisë gjen monumente, buste e varreza për të huajt, por asnjë shenjë për të kujtuar ish të burgosurit, të përsekutuarit dhe të vrarët nga komunizmi për një gjysëm shekulli.
Kryeministri katër herë i mandatuar i Shqipërisë, zoti Edi Rama, i cili ka përfituar më së shumti, si pinjoll të një familjeje të lidhur ngushtë me regjimin komunist, meqë i jati Kristaq Rama ka qenë anëtar i KQ të PPSH dhe skulptor i njohur i realizmit socialist madje i Enverit vetë; ndërsa e jëma mbesë e Spiro Kolekës, një nga fytyrat më të njohura në oborrin politik të Enver Hoxhës, u “shënjestrua” nga zoti Shkreli, për qëndrime ideologjike komuniste.
Ai tha se : “Kryeminsitri aktual i vendit(Shqipërisë) ka deklaruar se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”, ndërsa një zëdhënës i opozitës demokratike e kanë quajtur mos përballimin me krimet e komunizmit në Shqipëri, vetëm, si një “mungesë drejtësie”. Pra, sipas Shkrelit, asnjëra as tjetra palë, zyrtarisht, nuk kanë bërë asgjë për të dënuar krimet e komunizmit në Shqipëri.
Në vazhdim Shkreli foli në lidhje me krimet e komunizmit ku sipas tij duket se shumica e shqiptarëve – sidomos në Shqipëri, por edhe në botën shqiptare në përgjithësi – janë në një gjëndje shpirtërore harrese, refuzimi, mohimi ose mospranimi i të Vërtetës : Ose për një kollajllëk personal (convenience) i arsyetojnë krimet e komunizmit me thënjen: “Eh, po ashtu ishte ajo kohë”. Abraham Linkolni ka thenë se “Ata që të tjerëve ua mohojnë lirinë, nuk e meritojnë as për veten”.
Nuk është hera e parë, e besoj as e fundit, që e them se, “Qeveritë e njëpasnjëshme të dy partive kryesore në Shqipëri, për 35-vjet tashti, nuk kanë marrë guximin moral as nuk kanë vullnetin politik për t’u përballur me të kaluarën komuniste, për të dënuar krimet e komunizmit. Madje as nuk kanë caktuar një ditë në vit – siç ka bërë e gjithë Evropa dhe Amerika – për të kujtuar viktimat e pafajshme dhe krimet e barbarizmit komunist në Shqipëri” tha zoti Shkreli.
Kryetari i Bashkisë së qytetit Jonkers, z. Mike Spano, i cili sapo kishte marrë pjesë në një aktivitet tjetër të komunitetit shqiptar në Bronx -Nju Jork, tha se edhe une jame krenar te nderoi se bashku me ju kete njeri qe luftoi deri ne vdekje per liri e demokraci, te cilat jane “edhe dy gjerat me te shtrejta te ketij vendi – SHBA-es”
Me pas ai faleminderoje komunitetin shqipar ne kete prefekture, duke thene ” se ky komunitet se bashku me komunitetet e tjera kan ardhur vazhdimisht ne rritje duke u bere pjese e rendesishme e forcimit te Westchester Countyt, pjese e ndjeshme e jetes sone”.
“Ju jeni një komunitet i shkëlqyer, që dalloheni për dashuri për familjen, për kulturën, dashuri për arsimin, dashuri për këtë vend për t’a bërë edhe më mirë e më të bukur, me kontributin tuaj.”
Kryetari i Bashkisë së qytetit Jonkers, Z. Mike Spano tregojë che trashgmninë e tij, “është një nder për mua të jem këtu për të festuar me secilin prej jush. Mendoj se, meqenëse gjyshërit e mi ishin emigrantë italianë, nga jugu i Italisë i bie që edhe unë të jem si një “kushëri” me shqiptarët (arbereshët e Italisë).
Zoti Agim Rexhaj – President Nderi i Vatrës, ju drejtua familjarëve e bashkatdhetarëve, pjesmarrës në kët tubim të përvjetshëm, duke e quajtur veten të nderuari që së bashku, me patriotët e atdhetarët, demokratët mblidhen ço maj në kujtim të nji shoku, të nji bashkluftëtari, të nji djaloshi të përjetshëm: Nik Merrnaçaj.
Ndjehem vazhdimisht i nderuem e i respektuem, theksojë Rexhaj,sa herë që familja Merrnaçaj me fton në këtë ditë tashma të shënueme jo veç për kët familje, po edhe për krejt na shqiptarët e Amerikës, e me i thanë do fjalë zemre e dhimbjeje të thellë, në kët ditë pranvere e cila nalton në qiell emnin e djaloshit idealist, emnin e nji kelmendasi të mençem e krenar, emnin e nji martiri të demokracisë, njeriut të paharrueshëm Nick Merrnaçaj.
“Sot të tanë së bashku e përkujtojmë kët figurë, veprën e tij heroike dhe e përcjellim ndër breza mesazhin e madh se: Liria as vjen dhe as mundet me qindrue në kambë pa sakrifica të mëdha. E sakrifica e Nick Merrnaçajt asht shembulli që duhet mbajtë gjallë, sepse kohnat e këqia edhe përsëriten, edhe bajnë dame ma të mëdha kur ato gjejnë terrenin e kompromiseve me heshtjen dhe harrimin e vlerave të mëdha që na ka mësue jeta edhe këtu në Amerikën lirisë dhe demokracisë.”
Ai u shpreh se fjalën e tij, si gjithnji edhe kësaj here, në këtë Ditë të Lirisë së Shqiptarëve, e kishte n’emër të Vatrës, asaj Vatre që në histori e ka dritën e pashoqe, po kohnat e njerëzit ia kanë hedhë do pluhun përsipër, por unë mbetem i sigurt se të gjithë së bashku me figurën dhe shpirtin luftarak të Nick Merrnaçajt, si model që u shërben të gjitha kohrave, kem me ia dalë me e çue në naltësitë e që ajo meriton si Vatër qindravjeçare.
Më tej zoti Rexhaj tha se e kam thanë, e më duhet me e përsëritë se me Nikën i përkasim të njajtit brez dhe kena përcjellë bashkë beteja të pafundme për çlirimin e Kosovës nga dhuna e Jugosllavisë titiste po edhe shpëtimin e Shqipnisë prej diktaturës enveriste që na kishin detyrue me braktisë trojet tona të dashtuna, e nuk na lejonin as me i pa ato vise e as me mujtë me i ndihmue njerzit tonë të mbetun atje.
“Sot në kët ditë maji, ndjehem i nderuem pse Familja Merrnaçaj, me emna legjendë si Nikolla, Marashi e Nika vazhdon me e mbajtë nalt si pakkush bajrakun e vlerave të Kelmendit, historinë e qëndresës, betejave dhe sukseseve, e kjo histori e tyne sot përcillet me krenari edhe ndër brezat ma të ri të këtij fisi e kësaj familjeje, tue e vazhdue kështu me shpirt të paepun nji traditë të përvjetshme edhe n’Amerikën e Madhe të Demokracisë e Lirisë.”
Kurse, si mik i hershëm i Familjes Merrnaçaj, dhe si vlersues i dinjitetit dhe korrektesës shembullore e ndjej për detyrë, sot në përkujtim të Nikës me falenderue Djalin e Nikes Michael ( Majkell) Merrnacaj , e pershendes Paulin Merrnacaj dhe i pershendes dy njerz të mirë, të urtë e të paepun Lekë Merrnaçajn dhe Mark Merrnaçaj që na mbledhin bashkë me kujtue Heronj të Vërtetë si Nick Merrnaçaj, tha Zoti Agim Rexhaj – President Nderi i Vatrës, duke falenderuar edhe “gruen e hekurt me shpirt florini” shume të nderuemen Mrì Merrnaçaj po edhe tri vajzat e saj që janë krahë në të gjitha ngjarjet dhe festimet e kësaj dere bujare dhe mikpritëse…
Aktivistja e njohur Mimoza Belliu, bashkëshorti i së cilës, ka jetuar në Savër – Lushnje, në të njejtin vend dhe komëshijë me xhaxhain e Nik Mrnaçaj, Nikoll Mrnaçaj, foli në kushtet e njohjejes së kaluar me familjen e Mernacajt, në kampin e interrnimit në Savër, por edhe me atë të njëzet e pesë vjetëve të familjes së Marsh Mrnaçaj këtu në Nju Jork
Në maj të çdo viti mblidhemi këtu në këtë vend për të ngritur flamurin kombëtar shqiptar edhe pse ky muaj nuk përkon me festën e pavarësisë sonë kombëtare, por ne mblidhemi për të festuar “Ditën e Lirisë Shqiptare”, shpalluar tri dekada më parë nga prefektuara e Westcheter – Nju Jork, tha në fillim të fjalës së saj zonja Belliu.
“Ndoshta “Dita e Lirisë Shqiptare” nuk është akoma një festë kombëtare shqiptare, por për ne shqiptaro-amerikanët, këtu në Nju Jork e shtetet për reth saj, natyrisht që është një ditë që simbolizon përpjekjet e shqiptareve jashtë kufijve, të tyre, për një Shqipëri të Lirë e Demokratike. Dhe një ditë e rëndësishme për të gjithë ata që kishin lënë mëmedheun e tyre, pikërisht se u ishin mohuar të drejtat, apo persekutuar e burgosur pse kishin adhuruar për liri e demokraci”.
Në “Ditën e Lirisë Shqiptare” siç e ka shpalluar prefektuar e Westchester – Nju Jork, tre dekada më parë, tha ajo ne mblidhemi çdo janar në këtë vend, të nderojme martirin e demokracisë Nik Marash Mrnaçaj, i cili u rrit në familjen e madhe të Mrnacajve të Kelmendit.
Edhe pse u largua foshnje nga vendlindja, në familje ai u brumos me frymën liridashëse kombëtare duke dëgjuar rrefenjat patriotike për qëndresën e Prek Calit dhe të trimave te Kelmendit. Nik Mernacaj, tha zonja Belliu, asnjëhere nuk e pa veten të shkëputur nga atdheu, i tij, pasi atje larg kishte lënë anëtarë të familjes, konkretisht xhaxhane Nikoll Mrnaçaj me familje, të cilët vuajtën pasojat e diktaturës në kampe të ndryshme internimi dhe më vonë në Savër të Lushnjes”.
Edhe pse nuk jeton fizikisht, Nik Marash Mrnaçaj, ai është mes nesh me veprën e tij që kujtohet me ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar, përkrah flamurit amerikan në shtizën e këtij sheshi, ku çdo maj ne vijmë të kujtojmë Ditën e Lirisë Shqiptare, që Ekzekutivi i Qarkut Westchester tridhjet e pesë vjet më parë, e ka shpallur si : “Dita e Lirisë së Shqiptarëve” në Nju Jork.
Po e mbyll fjalen time me një proverb të vjetër persiane : “Njeriu nuk vdes kur pushon së jetuari, njeriu vdes kur nuk kujtohet e nuk flitet më për të” tha zonja Mimoza Belliu.
Majkëll Mrnaçaj, djali i Nik Marash Mrnaçaj, falënderoi pjesëmarrësit për nderimin e babait dhe gjyshit të tij të ndjer Marash Mrnaçaj
Sot këtu, ndërsa festojmë këtë rast të rëndësishëm, përkujtimin e ngritjes së flamurit të lirisë së Shqipërisë në nder të babait tim, Nick, dua t’ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu sot, pasi është 35-vjetori ynë, që ju së bashku me familjen time nuk e harruat por e kujtuat me shumë mirënjohje e respekt babain tim Nik Mrnaçaj.
Në përfundim të veprimtarisë u organizua ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar, që u valvitet aty në krah të Flamurit Amerikan në shtizën e lärt të parkut Kensiko Dam Plaza në Vallaha Yonkers NY.