Nga data 22 deri më 25 maj 2025, Parku “Princigall” i rrugës Ignazio Loiacono nr. 3” në Bari do të transformohet në një skenë të gjallë ndërkulturore, në kuadër të edicionit të 21-të të Festës së Popujve, një ngjarje tashmë tradicionale që bashkon komunitete të ndryshme emigrante me qytetin mikpritës.
Kjo festë shumëngjyrëshe, e organizuar nga “Abusuan Bari”, së bashku me Misionarët Kombonianë, sindikatën CGIL dhe me mbështetjen e Bashkisë së Barit, ofron katër ditë të mbushura me muzikë, spektakël, vallëzim, artizanat, gastronomi, dhe veprimtari argëtuese për fëmijë.
Pjesë e veçantë e këtij festivali do të jetë edhe këtë vit Shoqata shqiptare “Le Aquile di Seta” (Shqiponjat e Mëndafshta), e cila përfaqëson denjësisht komunitetin shqiptar. Për të tretin vit radhazi, kjo shoqatë do të ketë një stand të organizuar me produkte artizanale shqiptare, sjellë nga shtëpia artizanale “Rozalba” e Lezhës – një bashkëpunim tashmë i kthyer në traditë midis Shtëpisë Rozalba dhe motër Almës.
Mbrëmja e së shtunës, më 24 maj, në orën 18:00, do të kulmojë me vallet dhe këngët tradicionale shqiptare, interpretuar nga vajzat e shtëpisë Rozalba që do të ngjiten në skenën e festivalit, duke sjellë ngjyrat e folklorit shqiptar për publikun italian dhe ndërkombëtar.
Ndërsa të dielën, më 25 maj, po në orën 18:00, mësueset e shkollës shqipe do të organizojnë lojëra për fëmijët, duke ofruar një hapësirë argëtuese dhe edukative për më të vegjlit.
Autoritetet vendore dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme priten të vizitojnë këtë festë, e cila nuk është thjesht një event kulturor, por një urë bashkëpunimi dhe dialogu mes kulturave, ku komunitetet emigrante bëhen pjesë e jetës qytetare dhe kontribuojnë në pasurimin e saj.
Festa është e hapur për publikun çdo ditë nga ora 16:00 deri në 22:00. Të gjithë janë të mirëpritur të marrin pjesë dhe të përjetojnë magjinë e bashkëjetesës kulturore nën ritmet e popujve të botës.