Në një moment simbolik për të ardhmen e marrëdhënieve europiane, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi të enjten se “Shqipëria është Europë si Italia”, duke theksuar se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është një çështje sigurie dhe drejtësie historike.
Gjatë fjalës së saj në Samitin e Komunitetit Politik Europian (CPE) në Tiranë, Meloni foli me tone të forta mbështetëse për aspiratat europiane të vendeve të rajonit, duke refuzuar çdo narrativë që përpiqet të ndajë kontinentin në qendra e periferi.
“Identiteti europian i Shqipërisë është fakt nga historia,” tha Meloni. “Shqipëria është Europë si Italia, pavarësisht nëse je pjesë e një organizate të caktuar apo jo. Gjithmonë buzëqesh kur dikush përpiqet të përcaktojë kush është europian e kush jo.”
Komentet e Melonit vijnë në një periudhë të ndjeshme për procesin e zgjerimit të BE-së, ku ritmi i integrimit të vendeve të Ballkanit është përplasur shpesh me skepticizmin institucional të Brukselit dhe krizën e besueshmërisë së vetë unionit.
Në një kohë kur agresioni rus në Ukrainë ka rikthyer me forcë çështjen e sigurisë kontinentale, liderja italiane e vendosi integrimin europian të Ballkanit në një kornizë gjeopolitike më të gjerë:
“Zgjerimi sjell sfida të reja, por jam e bindur se integrimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në të mirën e sigurisë së Europës. Fatet tona janë të ndërvarura.”
Meloni theksoi se CPE-ja, si një forum i ri bashkëpunimi politik, po kontribuon në procesin e “ribashkimit të Europës” dhe shërben si platformë për të adresuar jo vetëm temat ekonomike dhe të sigurisë, por edhe për të vendosur një rrëfim të ri mbi përkatësinë dhe të ardhmen e kontinentit.
Samiti i Tiranës, i katërti me radhë që prej themelimit të CPE-së në 2022, u shndërrua kështu në një skenë të rëndësishme për rikonfirmimin e destinacionit europian të Ballkanit, me Italinë në rolin e një aleateje të palëkundur në këtë rrugëtim.



