Në një njohje të rrallë për botën akademike shqiptare, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri është pranuar si anëtar i Academia Europaea, institucion prestigjioz shkencor me seli në Londër, që bashkon më shumë se 7,000 anëtarë nga mbarë Evropa – përfshirë 88 fitues të Çmimit Nobel.
Pas një procesi rigoroz përzgjedhjeje që zgjati disa muaj, profesori Neziri – studiues i shquar i folklorit dhe etnologjisë shqiptare – është nderuar me titullin “Akademik”, duke u bërë i pari shqiptar nga Kosova dhe njëkohësisht përfaqësuesi i vetëm i kësaj fushe në mesin e të pranuarve të këtij viti.
Kjo pranim zyrtarizon kontributin dekadash të Prof. Nezirit në dokumentimin, analizën dhe ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore shqiptare, në një kohë kur fushat e humanistikës përballen me sfida gjithnjë në rritje në skenën globale të dijes.
E themeluar në vitin 1988, Academia Europaea është një ndër platformat më të fuqishme akademike në kontinent, me anëtarë që përfaqësojnë 23 fusha të ndryshme – nga biologjia molekulare dhe matematika, deri te filozofia, historia dhe letërsia. Institucioni luan një rol kyç në këshillimin e vendimmarrësve evropianë në çështje të kërkimit shkencor, arsimit dhe inovacionit.
Për familjen e Prof. Nezirit – përfshirë bashkëshorten dhe tre fëmijët – kjo është më shumë se një arritje personale. “Ne jemi të mbushur me krenari, jo vetëm për arritjen e babait tonë, por edhe për faktin se folklori shqiptar tashmë ka një zë të përfaqësuar në një forum evropian të dijes,” shprehen ata në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale.
Pranimi i Prof. Nezirit në Academia Europaea vjen në një moment kur roli i kulturave të vogla në peizazhin shkencor dhe humanistik europian po rishqyrtohet. Kontributi i tij në mbrojtjen dhe ngritjen e trashëgimisë shqiptare i jep kësaj fushë një peshë të re në skenën ndërkombëtare.
Zymer U. Neziri është profesor universitar, autor i dhjetëra botimeve shkencore dhe një nga figurat më të njohura në fushën e folkloristikës në trojet shqiptare. Ai ka drejtuar për vite me radhë Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe ka udhëhequr projekte kërkimore për dokumentimin e epikës heroike dhe këngëve tradicionale të shqiptarëve.



