Partia Demokratike vijon të ngrejë alarmin për shkelje të rënda në procesin e votimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke folur për një krizë serioze që ka kompromentuar integritetin e zgjedhjeve.
Drejtuesja politike për diasporën në PD, Jozefina Topalli, deklaroi se ajo që po ndodh me votat e emigrantëve në shtetin fqinj është një “krim zgjedhor” dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga organizatat ndërkombëtare.
“DHL ka nënkontraktor aty, ata kanë dalë jashtë kontrollit dhe ne kemi dyshime të thella se po kontrollohet nga njerëz të pushtetit”, u shpreh Topalli, duke akuzuar qeverinë për ndërhyrje direkte në procesin e shpërndarjes dhe administrimit të zarfeve të votës.
Topalli i bëri thirrje misionit të ODIHR-it që të marrë në shqyrtim me prioritet situatën në Greqi dhe të garantojë një monitorim ndërkombëtar për atë që ajo e quajti “proces zgjedhor të deformuar nga pushteti”.
“Unë i kërkoj ODIHR që të ketë një fokus të veçantë me procesin që po ndodh në Greqi. Ky është një proces që ka dalë jashtë kontrollit”, theksoi ajo.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri, ngriti shqetësimin për dublimin e emrave në listat e votuesve, një tjetër problematikë që mund të rrezikojë besueshmërinë e zgjedhjeve.
“Janë 137 raste të identifikuara deri më tani ku persona rezultojnë të regjistruar si votues edhe në Shqipëri, edhe nga jashtë. Kemi disa ditë që kemi kërkuar një përgjigje nga KQZ, por deri tani nuk kemi marrë asnjë reagim”, tha Nuri.
Sipas tij, ky fenomen nuk është i izoluar dhe po evidentohet në disa qarqe, çka shton dyshimet për një manipulim të mundshëm në shkallë më të gjerë.
Partia Demokratike po kërkon urgjentisht hetim dhe transparencë mbi këto zhvillime, ndërkohë që procesi i votimit për diasporën, një hap historik për përfshirjen e shqiptarëve jashtë vendit, rrezikon të kthehet në një tjetër krizë besueshmërie për zgjedhjet.