Në një vend ku rreth 1400 gra humbasin çdo vit jetën si pasojë e tumoreve – dhe 10% e tyre janë më të reja se 50 vjeç – një konferencë nuk është vetëm një ngjarje formale. Është akt social, human dhe etik. Më 9 maj 2025, në Hotel Rogner, Tirana pret konferencën përmbyllëse të projektit CaPAW – Cancer Prevention for Albanian Women, një nismë njëvjeçare që ka për qëllim të ndalë valën në rritje të sëmundjeve onkologjike në vend, përmes ndërgjegjësimit, edukimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në qendër të projektit: gruaja shqiptare. Ajo që jeton në qytet apo në periferi, që shpesh nuk ka qasje në kontrolle të specializuara, që ndonjëherë nuk është e lirë të vendosë për shëndetin e vet, që jeton nën presionin e normave të trashëguara apo dhunës së padukshme të patriarkatit. CaPAW u mbështet nga programi global i GIZ “Formësimi i Migracionit të Orientuar drejt Zhvillimit” (MEG), në partneritet me organizatën Europa Donna Albania, dhe gjeti aleatë të natyrshëm në rrjetin e diasporës shqiptare në mjekësi.
Konferenca përmbyllëse do të shërbejë si një platformë shkëmbimi ndërkombëtar për ekspertë të diagnostikimit, trajtimit dhe rehabilitimit të pacientëve me kancer, me qëllimin e ndërtimit të një sistemi më gjithëpërfshirës të kujdesit onkologjik në Shqipëri. Me 9 kredite gjermane për profesionistët e shëndetit dhe pjesëmarrje falas, ngjarja përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit europian të standardeve të kujdesit mjekësor në vend.
Shifrat që tronditin
Sipas regjistrit kombëtar të kancerit, Shqipëria shënon çdo vit rreth 6000 raste të reja me tumore. Vdekshmëria e lartë, mungesa e diagnostikimit të hershëm dhe qasja e pabarabartë në shërbime shëndetësore krijojnë një terren të rrezikshëm për gratë, sidomos në zonat rurale. Kjo është arsyeja pse projekti CaPAW nuk mbeti vetëm në sallat e konferencave, por u shpërnda në terren: me fushata ndërgjegjësimi në shkolla, me postera dhe video informuese, me webinare dhe trajnim profesional për mjekë dhe infermierë – ku çdo pjesëmarrës mori kredite falas si motivim për të përhapur mesazhin.
Diaspora si aktore e shëndetit publik
Një risi e veçantë ishte angazhimi i mjekëve shqiptarë nga diaspora – nga Gjermania, Zvicra, Italia, Austria – të cilët përmes webinareve online dhe shkëmbimit të praktikave të mira u kthyen në ambasadorë të barazisë dhe shëndetit të grave. Ata ofruan terapi psikologjike, informim mbi vetëkontrollin, dhe ndihmuan në ndërtimin e një kulture të re, që nuk sheh trupin e gruas si tabu, por si prioritet publik.
Më 9 maj, Tiranës do t’i shtohet zëri i grave. Jo vetëm për të folur për sëmundjen, por për të vendosur të ardhmen e tyre. Konferenca është e hapur për të gjithë dhe regjistrimi mund të bëhet online në këtë link: https://forms.gle/HpDi8hBLBAkUoPpE9