Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të konstituojnë legjislaturën e nëntë edhe në përpjekjen e nëntë. Propozimi i kryesuesit të seancës, deputetit të LVV-së, Avni Dehari për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, nuk kaloi.
Pas kësaj, LVV-ja nuk e propozoi fare kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe seanca u ndërpre. Dehari tha se vazhdimi i seancës do të bëhet më 3 maj.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha ftesa për votim të fshehtë për emër të kryetarit të Kuvendit të Kosovës është shkelje kushtetuese.
Sipas tij Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të mbaj qëndrim bllokues.
“Nuk ka ndonjë ndryshim të ndonjë qëndrimi bllokues nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, edhe më keq ata sot shkuan dhe bënë shkelje të hapur kushtetuese. Ftesa për votim të fshehtë në kohën kur ka filluar votimi tashmë dhe ka dështuar sa e sa herë, është e paligjshme dhe jo kushtetuese. Po më vjen keq në çfarë situate është ndodhur Avni Dehari”, theksoi ai.
Kreu i PDK-së pas përfundimit të seancës konstituive, tha se Albulena Haxhiu nuk kalon dhe këtë e dinë, siç u shpreh ai, të gjithë.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Hykmete Bajrami u shpreh se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja për shkak të krizës politike, që sipas saj po shkaktohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo nënvizoi se me votat e LDK-së ajo nuk do të bëhet kryeparalementare.
“Neve na vjen keq që Kuvendi dhe institucionet e Kosovës po nuk po konstituohen. Sot në vend që të kishim institucione që do të merren me problemet e qytetarëve, inflacionin, anulimin e vendimit të ZRRE-së për ngritjen e tarifave ne sot flasim për një emër të përveqshëm. Qytetarët e këtij vendi, në veçanti ata që kanë votuar LVV-në duhet ta dinë se jemi duke shkuar drejt një procesi të zgjedhjeve. Po shkojmë në zgjedhje jo se partitë politike nuk po pajtohen sesi të adresojnë inflacionin, arsimin apo papunësinë, por sepse partia fituese që ka 48 ulëse në Kuvend ka një problem të vetëm në emrin e Albulena Haxhiut…Me votat LDK-së ajo nuk do të bëhet kryetare as pas një procesi zgjedhor”, tha ajo.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale, duke kritikuar qasjen politike të partive me të cilat, sipas tij, nuk mund të ndërtohet dialog e bashkëpunim institucional.
“A po e kuptoni tani, se pse me të tillët, nuk mund të kesh as takim e as mirëkuptim? Të takojnë, të mashtrojnë! Gjersa të thërrasin në takim, jashtë të ofendojnë. Në fund veprojnë në arbitraritet të plotë”, ka shkruar ai.
Ndërsa kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se propozimi për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, nuk është praktikë parlamentare dhe nuk duhet të ndiqet si e tillë.
Pas përfundimit të seancës konstituive, Limaj u shpreh se nuk mund të ndërrohet mënyra e votimit në mes të procesit.
“Kjo që ndodhi sot nuk është në praktikën parlamentare siç e dini kryetarët e Kuvendit janë zgjedhur me votim të hapur. Në mes të votimit nuk mund të ndërrojë forma e votimit, dhe duhet t’i kthehemi praktikës parlamentare kryetari i Kuvendi, nënkryetarët të zgjidhen me votën e hapur nuk mund të ndryshohet duhet të vazhdohet ashtu. Krejt këto mund të bëhen kur të krijohet shumica”, tha ai.