Gjatë një konferencëpër shtyp, drejtuesja politike e diasporës në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli, ngriti shqetësime serioze mbi problematikat që po shoqërojnë procesin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit.
Ajo deklaroi se në disa raste zarfi nuk ka mbërritur në adresën e duhur, ose ka munguar fleta e votimit.
Topalli gjithashtu përmendi edhe situata ku fleta është hedhur në oborre ose është marrë nga persona të tjerë. Sipas saj, janë konstatuar dhjetëra raste të tilla që përbëjnë shkelje të ligjit.
Në konferencë ishte i pranishëm edhe drejtuesi i Departamentit të Drejtësisë në PD, Franc Nuri, i cili deklaroi se vetëm për qarkun Tiranë janë evidentuar mbi 1 mijë raste të adresave të pasakta në sistemin PER krahasuar me të dhënat e dërgimit nga DHL.
Topalli i bëri thirrje KQZ-së që të kërkojë nga DHL përmbushjen e detyrimeve logjistike. Ajo paralajmëroi se çdo cenim i procesit prek integritetin e zgjedhjeve dhe të votës së diasporës. Gjithashtu, Topalli shprehu mirënjohje për shqiptarët që po votojnë masivisht dhe që do të përmbysin regjimin që i dëboi.
Deklarata e Jozefina Topalli: Siç e keni transmetuar dhe ju (mediat), dhe ju falënderoj për këtë, ka pasur disa problematika si moshkuarja në adresën përkatëse për të tërhequr zarfin siç është marrëveshja.
Ka pasur raste që ka munguar fleta e votimit, ka pasur raste që janë gjetur përballë hedhjes së fletës së votimit o në oborr, ose është marrë nga komshia. Me dhjetëra zarfe, dhe kjo nuk është e ligjshme.
Ka ndodhur që kur janë nisur zarfet, të ketë pasur duplikata, ka ndodhur edhe shumë raste të tjera.
Unë shfrytëzoj rastin për t’i bërë thirrje KQZ që t’i kërkojë DHL që të përmbushin detyrimet e tyre ligjore dhe logjistike.
Thyerja e afateve dhe standardeve të vendosura në ligj është një cenim i rëndë i votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë kufinjve të Shqipërisë dhe në këtë mënyrë ajo do cenonte tërësisht integritetin e këtyre zgjedhjeve.
Duke thënë këtë, dua të përsëris edhe njëherë një falënderim dhe mirënjohje për shqiptarët që në mënyrë masive po votojnë, po sakrifikojnë dhe po shkojnë edhe tek zyrat e DHL pavarësisht se nuk e kishin detyrim, dhe me votën e tyre, me zarfin e tyre që po sjellin në Shqipëri, sigurisht ato mesa duket do të përmbysin regjimin që i përjashtoi dhe i dëboi nga vendi i tyre.
Problematikat e evidentuara nga PD për votën e Diasporës (Zgjedhjet 2025)
-Vonesë në dërgesën e fletëve të votimit nga DHL, shpesh përtej afatit ligjor.
– Mungesë njoftimi për dërgesën: Votuesit nuk u informuan me email apo telefon për afatet.
-Dërgesa të paautorizuara: Zarfat u lanë te dera, në oborr, në kazanë mbeturinash ose u dorëzuan fqinjëve.
-Mungesë materialesh votimi: Zarfat mbërrinin bosh ose pa fletë votimi.
-Dublikim dhe gabime në përmbajtje: Dy fletë për një person ose emra të gabuar në fletë votimi.
-Ndërhyrje politike në procesin e shpërndarjes: Punonjës të lidhur me Partinë Socialiste u përpoqën të ndikonin votuesit.
– Cënimi i të dhënave personale: Pas dorëzimit nga DHL, votuesit u kontaktuan nga Partia Socialiste, duke sugjeruar keqpërdorim të të dhënave.
-Gabime në regjistrim: Disa persona rezultuan si “kanë votuar” edhe pse nuk e kishin marrë fletën fare.
– Fletë votimi pa vula zyrtare, duke i bërë të pavlefshme.
– Tamperim i zarfeve të kthimit: Mungesë etikete kthimi ose kërkesa për pagesë nga DHL.
– Refuzim përgjegjësie nga Malta Post, duke krijuar konfuzion për dërgesat në Maltë.
– Gabime të shumta në adresim: P.sh., votues që jetonin në Gjermani morën dërgesa në Greqi.
– Asnjë përgjigje nga DHL për ankesat: Votuesit nuk merrnin sqarime ose ndihmë pas kontaktimit.
– Familjarë ose fqinjë që merrnin fletët e votimit për llogari të dikujt tjetër, pa autorizim.
Topalli, deklaroi sot se kontributi i emigrantëve shqiptarë është vendimtar për rrotacionin e vitit 2025. Në një konferencë për shtyp, ajo theksoi se vota e diasporës është një akt ndërgjegjeje dhe drejtësie ndaj një regjimi që i ka dëbuar nga vendi.
Topalli falënderoi shqiptarët jashtë vendit për mbështetjen, ndërsa u kërkoi atyre të bëjnë edhe një sakrificë të fundit duke dorëzuar personalisht zarfin në zyrat e DHL.