Në romanin e tij të fundit, “La danza delle pietre bianche”, (Vallëzimi i gurëve të bardhë) botuar nga Marlin Editore, autori shqiptar Leonard Morava ndërthur fatin individual me rrjedhën e historisë së trazuar të Shqipërisë.
Protagonisti, Samir, një fëmijë i shitur për një kokë bagëti dhe më pas i birësuar nga një çift i lidhur fort me idealet e lirisë dhe kulturës, rritet për të sfiduar botën që e ka ndëshkuar pa mëshirë.
Në sfondin e romanit shtrihet Shqipëria, një vend që pas 45 vjetësh nën një regjim komunist të hekurt, përjeton çlirimin nga diktatura vetëm për të rënë në rrëmujën e pasigurisë së tranzicionit. Morava e përshkruan këtë epokë me realizëm të ftohtë: gëzimi i papritur për lirinë shndërrohet shpejt në ankth dhe zhgënjim, ndërsa populli i uritur për jetë përballet me sfidën e ndërtimit të së ardhmes.
Samir, fillimisht i mbushur me shpresë, e gjen veten të bllokuar mes shpresave të thyera dhe dhimbjes së papërpunuar. I paaftë për të pranuar realitetin e ri, ai zgjedh të largohet. Shtegëtimi i tij e çon në Itali, ku, edhe pse përballet me vështirësitë e një emigranti, gjen gjithashtu shenja mikpritjeje dhe mundësish.
Në thelb, Morava sjell një rrëfim të fuqishëm mbi identitetin, një temë që prezente në jetën e çdo emigranti: ndjesinë e ndarjes nga rrënjët, ndjenjën e huajësisë si në atdhe ashtu edhe në vendin pritës. Është një rrugëtim pa përfundim, një “vallëzim” mes kujtimeve të dhimbshme dhe atyre plot nostalgji — një përpjekje për të balancuar atë që je lënë pas dhe atë që po përpiqesh të ndërtosh.
Përmes prozës së tij të drejtpërdrejtë, pa stolisje të panevojshme, Leonard Morava fton lexuesin të reflektojë mbi çmimin e vërtetë të lirisë dhe mbi plagët e padukshme të emigracionit, duke i dhënë zë një brezi të tërë që ka jetuar mes dy botëve pa mundur t’i përkiste plotësisht asnjërës.




