Më 4 maj, kur qytetarët italianë të hedhin votën për zgjedhjet lokale, një numër i jo i vogël kandidatësh me origjinë shqiptare do të jenë mes atyre që kërkojnë të fitojnë besimin e komuniteteve të tyre. Ata nuk janë vetëm pjesë e një procesi elektoral; ata përfaqësojnë një histori më të gjerë: historinë e emigracionit, të integrimit dhe të përpjekjes për të krijuar një zë në vendin që prej vitesh e quajnë shtëpi.
Ilo, Florenc Dedja, Lloshi, Donika Suli, Kleodjan Luku, Tritan (Tani) Myftiu dhe Agron Mehmedi janë disa nga emrat që do të shfaqen në fletëvotimet në qytete dhe komuna të ndryshme italiane. Me profile që variojnë nga sipërmarrës e aktivistë shoqërorë, deri te profesionistë të rinj, secili prej tyre mbart një rrëfim të veçantë, por të gjithë ndajnë një qëllim të përbashkët: të kontribuojnë aktivisht në jetën publike të komuniteteve ku jetojnë.
Për shumë prej tyre, rruga drejt kandidimit nuk ka qenë e lehtë. Ata kanë kaluar përmes sfidave të integrimit, paragjykimeve dhe, herë-herë, ndjenjës së mospërkatësisë. Megjithatë, ky brez shqiptarësh në Itali duket se ka zgjedhur një qasje të ndryshme: ata nuk kërkojnë thjesht të përshtaten, por të ndikojnë dhe të ndryshojnë realitetin rreth tyre.
Sipas të dhënave të fundit, komuniteti shqiptar në Itali përbën një ndër diasporat më të mëdha dhe më dinamike, me një prani të ndjeshme në fusha si ndërtimi, tregtia, shërbimet dhe akademia. Për shumë shqiptarë të brezit të dytë dhe të tretë, identiteti i tyre është ndërtuar në ndërthurje mes rrënjëve shqiptare dhe realitetit italian.
Kjo ndërthurje reflektohet edhe në fushatat e kandidatëve shqiptarë. Shumica e tyre theksojnë vlerat e bashkëjetesës, përfshirjes sociale dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Ata nuk kërkojnë të flasin vetëm për komunitetin shqiptar, por për të gjithë qytetarët e zonave që përfaqësojnë.
Në prag të zgjedhjeve kandidatët shqiptarë dhe mbështetësit e tyre kanë intensifikuar thirrjet për pjesëmarrje aktive në votim, duke e parë këtë proces si një moment historik për afirmimin e një identiteti të ri politik të shqiptarëve në mërgim.
Më 4 maj, shumë shqiptarë në Itali nuk do të jenë thjesht votues. Ata do të jenë gjithashtu kandidatët, protagonistët, dhe, potencialisht, vendimmarrësit e së nesërmes.