Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, shqiptarët me banim jashtë vendit po marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare pa qenë të pranishëm fizikisht në vend. Procesi i votimit të shqiptarëve jashtë kufijve për zgjedhjet e 11 majit ka hyrë në fazën përfundimtare, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dërguar tashmë të gjitha zarfet me fletëvotime.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga KQZ, deri më tani janë marrë nga votuesit 164.022 zarfe, ndërsa 22.534 prej tyre kanë mbërritur tashmë në Shqipëri.
Italia kryeson listën e vendeve nga ku kanë ardhur më shumë vota me 6.8%, e ndjekur nga Gjermania me 1.5%, Mbretëria e Bashkuar me 1%, SHBA dhe Greqia me nga 0.7%.
Në raport me qarqet zgjedhore në Shqipëri, më së shumti zarfe kanë mbërritur për Durrësin (3.6%), më pas për Elbasanin (1.8%), Beratin (1.4%), Dibrën (1.3%), Tiranën (1.2%) dhe Lezhën (0.8%).
Zgjedhësit në diasporë kanë afat deri në javën e parë të majit për të plotësuar dhe dërguar fletën e votimit me postë. Çdo zarf që mbërrin pas datës 11 maj, ora 19:00, do të shpallet i pavlefshëm.
Procesi i administrimit të votave të diasporës po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Feti Borova” pranë Parkut Olimpik në Tiranë. Zarfet dhe kutitë e votimit monitorohen 24 orë nga kamera sigurie dhe përfaqësues të partive politike, në një përpjekje për të garantuar transparencë maksimale në këtë proces historike.