Në një ceremoni madhështore të mbajtur në Opera House të San Franciskos, aktivistët shqiptarë të mjedisit, Besjana Guri dhe Olsi Nika, u nderuan të martën me çmimin prestigjioz “Goldman Prize”, i njohur gjerësisht si “Nobeli i Mjedisit”. Ky vlerësim ndërkombëtar i jepet çdo vit aktivistëve që kanë treguar angazhim të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e natyrës dhe komuniteteve lokale.
Guri dhe Nika u shpërblyen për përpjekjet e tyre të palodhura mbi një dekadë për të shpëtuar lumin Vjosa – një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë – nga ndërtimi masiv i hidrocentraleve. Aktivizmi i tyre luajti një rol kyç në shpalljen e Vjosës si Park Kombëtar i një Lumi të Egër nga qeveria shqiptare në mars të vitit 2023, duke e kthyer Shqipërinë në një shembull unik për ruajtjen e ekosistemeve të ujërave të egra.
Ceremonia, e organizuar gjatë Javës së Tokës, mblodhi mbi 3,000 pjesëmarrës nga e gjithë bota: aktivistë, liderë komunitetesh, filantropë dhe figura publike. Në fjalën e saj përshëndetëse, Besjana Guri theksoi rëndësinë e veprimeve të vogla me ndikim të madh:
“Suksesi ynë në mbrojtjen e lumit Vjosa është fitorja e parë madhore mjedisore e Shqipërisë. Ky çmim është një kujtesë se kur njerëzit bashkohen, mund të bëjnë të pamundurën, të mundur.”
Ndërkohë, Olsi Nika ngriti alarmin për gjendjen kritike të lumenjve në botë dhe bëri thirrje për më shumë nisma si ajo e Vjosës:
“Lumenjtë e egër po zhduken me një ritëm alarmant. Historia e Vjosës është një model shprese, veçanërisht sepse ndodhi në një vend ku për dekada të tëra çështjet mjedisore nuk kishin asnjë shans. E pranoj këtë çmim me zotimin për të vazhduar punën për mbrojtjen e lumenjve tanë.”
Krahas dy aktivistëve shqiptarë, këtë vit çmimi Goldman iu dha edhe pesë fituesve të tjerë nga rajone të ndryshme të botës: Semia Gharbi (Tunizi), Batmunkh Luvsandash (Mongoli), Carlos Mallo Molina (Ishujt Kanarie), Laurene Allen (SHBA) dhe Mari Luz Canaquiri Murayari (Peru).
Çmimi Goldman për Mjedisin, i themeluar në vitin 1989 nga filantropët Richard dhe Rhoda Goldman, është një nga nismat më të rëndësishme globale për të nxjerrë në pah kontributin e individëve në mbrojtjen e natyrës. Deri më sot, ai ka nderuar 233 fitues nga 98 vende, përfshirë 106 gra që kanë lënë gjurmë në mbrojtjen e planetit.