Policia e Kosovës ndërmori një operacion të gjerë policor mëngjesin e së dielës në qytetin e Kaçanikut, në lidhje me hetimet për vrasjen e rreshterit policor Muhamet Lika, ndodhur më 1 prill 2025.
Personi i dyshuar si autor i drejtpërdrejtë i krimit, i mituri Rejhan Bela, është dërguar në paraburgim për një muaj pas vendimit të Gjykatës. Ndërkohë, personat e tjerë të arrestuar në lidhje me rastin pritet të dalin sot para trupit gjykues.
Sipas dosjes hetimore, më 1 prill rreth orës 23:00, në katin e dytë të hyrjes së ndërtesës ku banonte viktima, Rejhan Bela në bashkëpunim me të rriturit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi, me qëllim dhe përgatitje të mëparshme, e kanë privuar nga jeta rreshterin Muhamet Lika.
“Pas përfundimit të orarit të punës në orën 22:53, viktima është ndjekur nga të pandehurit deri në hyrjen e banesës. Pasi ka hyrë në objekt, i mituri Rejhan Bela ka hyrë pas tij dhe ka qëlluar në drejtim të tij me armë zjarri. Në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm”, thuhet në dosje. Viktima u shpall i vdekur në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik, si pasojë e plagëve të marra nga predhat.
Pamjet e kamerave të sigurisë zbulojnë se nga hyrja në ndërtesë deri në daljen e autorit të dyshuar kaluan vetëm 47 sekonda. Rreth orës 22:58, Rejhan Bela shihet duke u kthyer me vrap në drejtim të lokalit “Dukagjini”, ku e priste Rilind Murati.
Dosja hetimore përmban edhe një incizim të bisedës pas krimit, ku dëgjohet zëri i njërit prej të dyshuarve duke thënë “Bravo, ik!” – çka dëshmon komunikimin dhe koordinimin mes tyre.
Autoritetet janë duke hetuar më tej përfshirjen e secilit të dyshuar në këtë akt të rëndë, i cili ka tronditur opinionin publik dhe radhët e policisë së Kosovës.