Mbi një vit pas vrasjes tragjike të Bledar Dedjas në Itali, familja e tij po përjeton një tjetër plagë të rëndë: lirimin nga burgu të 19-vjeçarit që pranoi autorësinë e krimit.
Dedja, një 39-vjeçar shqiptar, u gjet i pajetë në një pyll në Paderno del Grappa më 21 janar 2024. Vrasja e tij tronditi komunitetin, ndërsa për familjarët ishte një tronditje që nuk reshti kurrë. Sot, ata ndihen të lënduar sërish, pas vendimit të drejtësisë italiane për ta lënë të lirë autorin e vrasjes, duke e vendosur në një qendër rehabilitimi për shkak të problemeve të shëndetit mendor dhe historikut të dhunës në familje.
“Është sikur vëllain tim e kanë vrarë për herë të dytë. Kanë kaluar vetëm pak më shumë se 12 muaj dhe vrasësi është tashmë jashtë. Kjo nuk është drejtësi,” shprehet me revoltë dhe dhimbje Antim Dedja, vëllai i madh i viktimës.
Ai rrëfen se Bledari ishte një baba i përkushtuar dhe një punëtor i ndershëm. “Me djersën e ballit kishte blerë një shtëpi. Kohët e fundit kishte disa debate me bashkëshorten, por nuk e dinim çfarë po ndodhte saktësisht. Të shtunën pasdite më tha se do shkonte në punë. Nuk e pamë më kurrë.”
Trupi i pajetë i Bledarit u gjet mëngjesin e së dielës në zonën e pyllëzuar të Via dei Carpini. Vrasja u pranua nga një adoleshent, i cili në atë kohë ishte vetëm 18 vjeç. Familja Dedja e përjetoi këtë si një tragjedi të dytë: “Nëna jonë është e shkatërruar. Merr ilaçe, nuk fle dhe qan çdo natë. Jemi përpjekur që të mos mësojë gjithë të vërtetën,” thotë Antimi, që aktualisht ndodhet në Australi me të.
Vendimi për të vendosur autorin në një komunitet rehabilitimi është pritur me zemërim. “Nëse kishte probleme, duhej të shkonte në polici. Edhe nëse vëllai im kishte bërë ndonjë gabim në jetën private, nuk e meritonte të vritej. Dhe tani, ai që vrau është i lirë, ndërsa Bledari nuk mund të flasë për veten,” shton ai.
Fëmijët e viktimës, ende të mitur, nuk dinë të vërtetën. “U thamë se babai i tyre kishte një aksident. Shpresoj që kurrë të mos e mësojnë se çfarë ndodhi me të vërtetë,” përfundon ai me zë të dridhur.
Ngjarja ngre sërish pikëpyetje të mëdha mbi trajtimin ligjor të rasteve të dhunës dhe vrasjeve, sidomos kur drejtësia perceptohet si e padrejtë nga ata që e vuajnë më shumë: familjet e viktimave.