Vetëm tre orë larg me fluturim nga Britania e Madhe ndodhet një thesar mesdhetar ende i pazbuluar plotësisht nga turistët ndërkombëtarë – Riviera Shqiptare. E përshkruar nga gazetarja Schannell Kanyora në “Daily Express” si një “destinacion i domosdoshëm për adhuruesit e plazhit”, ky rajon ballkanik krenohet me mbi 300 ditë diell në vit, ujëra kristal, plazhe të pacënuara dhe çmime të përballueshme.
Në një krahasim të drejtpërdrejtë me destinacionet klasike si Costa del Sol në Spanjë, ku një hotel me katër yje kushton mesatarisht 185-207 paund për natë, Riviera Shqiptare ofron të njëjtin standard për vetëm 85 paund, sipas të dhënave nga Booking.com.
Përveç klimës së ngrohtë, vizitorët mund të shijojnë fshatra bregdetarë të bukur si Dhërmiu, Himara, Palasa dhe Ksamili, të cilat ofrojnë një kombinim të rrallë të natyrës së paprekur dhe kulturës lokale.
Ekspertja e udhëtimeve, Emma Hurren, e cilëson Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më të preferuara në Evropë. Ajo sugjeron një itinerar që nis nga Vlora, kalon nëpër Parkun Kombëtar të Llogorasë, ndalet në Dhërmi për natyrën dhe jetën e gjallë të natës, dhe përfundon në Sarandë, me qasje të lehtë në Korfuz dhe “Maldivet shqiptare” – Ksamilin.
Në këtë udhëtim, plazhe si Jala, Gjipe, Filikur dhe vetë Ksamili ofrojnë eksperienca unike me bukuri natyrore autentike dhe qetësi që nuk gjenden më në destinacionet e mbipopulluara të Mesdheut.
Prandaj, për pushuesit britanikë që kërkojnë diell, det dhe shije mesdhetare pa shpenzuar një pasuri, Shqipëria është përgjigjja. Dhe duket se, më në fund, bota po e zbulon këtë perlë të fshehur.



