Emisari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj një raportimi të Radios Evropa e Lirë lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në një postim në platformën “X”, Grenell ka akuzuar Radion Evropa e Lirë dhe Gjykatën Speciale në Hagë për keqinformim dhe manipulim, duke theksuar se të dyja financohen nga tatimpaguesit amerikanë.
“Turp për Radion Evropa e Lirë (të financuar nga taksapaguesit amerikanë). Turp për Gjykatën e Hagës (të financuar nga taksapaguesit amerikanë). Kush po i redakton këto histori në RFE/RL? Rreshti i parë thotë ‘Prej dy vitesh’ prokurorët kanë shkuar pas Thaçit. Dy vjet? Jo. Krimet e supozuara janë të vitit 1998. Gjykata filloi në vitin 2016. Thaçi u arrestua në vitin 2020”, shkruan Grenell, duke kërkuar shkarkimin e gazetarit të raportimit në fjalë.
Ai shprehet i indinjuar që SHBA-të po paguajnë për atë që e quan një “gjyq të rremë” dhe “raportim të rremë”.
Aktualisht Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar zyrtarisht fazën e paraqitjes së provave në gjyqin kundër Thaçit dhe tre ish-zyrtarëve të tjerë të lartë të UÇK-së: Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023, ndërsa ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Shame on Radio Free Europe (US taxpayer funded).
Shame on The Hague Court (US taxpayer funded).Who is editing these @RFERL stories?
The very first line says “For two years” prosecutors have been going after @HashimThaciRKS.
TWO YEARS? Nope.
The alleged crimes are from 1998.…
— Richard Grenell (@RichardGrenell) April 16, 2025



