Fushata e 11-të e Dhurimit të Gjakut, organizuar nga Komuniteti Shqiptar në Selanik, u zhvillua edhe këtë vit me sukses, duke u shndëruar kështu në një manifestim të fuqishëm të humanizmit dhe solidaritetit njerëzor. Dhjetëra anëtarë dhe simpatizantë të Komunitetit iu përgjigjën thirrjes për të dhuruar gjak, në emër të dashurisë për njeriun – mikun, shokun, të panjohurin.
Frymëzimi më i madh i kësaj fushate ishte prania e të rinjve – Anxhelo, Emiliano, Aldriti dhe Mevlani – që përfaqësojnë “gjakun e ri” të komunitetit. Ata erdhën nga qytete të ndryshme, duke përshkuar kilometra të tëra për të dhënë një kontribut që shpëton jetë.
Mevlan Hoxha, një dibran fisnik, udhëtoi me autobus nga Agio Athanasio vetëm pasi lexoi njoftimin në Facebook. “Dua edhe unë të jap gjak për ata që kanë nevojë,” tha ai me një përkushtim prekës.
Anxhelo, një student i ri i shkencave politike, e konsideroi aktin e dhurimit si një simbol të anëtarësimit të tij: “Firmosa me gjakun tim në Komunitetin Shqiptar të Selanikut.”
Emiliano udhëtoi nga Janica me nënën e tij, Tereza, për të dhuruar gjak “për shqiptarë apo grekë, për çdo njeri pa dallim.”
Aldriti, pas një turni nate, nuk u mjaftua vetëm me dhurimin, por ndihmoi edhe dhuruesit e tjerë me dokumentacionin.
Në këtë fushatë dalluan edhe figura si Manushaqe Caka, studente e psikologjisë që kërkoi të dhuronte gjak herët në mëngjes për shkak të angazhimeve akademike, si dhe Vangjeli, një mik grek i komunitetit, i cili ndau gjakun dhe bindjen se shqiptarët dhe grekët ndajnë shumë më tepër sesa kufijtë.
Adriatik Mitro nga Myzeqeja tashmë është kthyer në një dhurues të rregullt, ashtu si dhe shumë të tjerë që po ndërtojnë një kulturë të re solidariteti.
Dhurimi i gjakut për Bankën e Gjakut të Komunitetit Shqiptar të Selanikut nuk është më vetëm një aksion periodik, por një traditë e gjallë vlerash që bashkon shqiptarë dhe grekë, të rinj dhe të moshuar, në emër të jetës.