Në një udhëtim që tejkalon kufijtë gjeografikë dhe shpirtërorë, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Greqi “LiterArt” vizitoi qytetin e Korçës për të prezantuar veprimtarinë e saj letrare e artistike në kuadër të projektit “Diaspora në atdhe”, një nismë e Shoqatës “Korça” që synon të afrojë krijuesit shqiptarë jashtë vendit me rrënjët e tyre.
Takimi u mbajt në ambientet e Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” dhe u përshkua nga një atmosferë e ngrohtë, frymëzuese, ku arti, fjala e bukur dhe muzika u ndërthurën natyrshëm. Në këtë ngjarje morën pjesë Kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo, përfaqësues të botës letrare dhe artistike si zj. Gerta Bandilli nga klubi letrar “Bota e Re”, drejtoresha e bibliotekës zj. Jorida Dhëmbi, e cila moderoi me finesë gjithë takimin, si dhe një audiencë e përbërë nga dashamirës të artit dhe banorë të qytetit.
“LiterArt” u përfaqësua nga kryetarja Brikena Qama dhe anëtarë të tjerë të kryesisë si Elona Gjergo, Artur Shkira, Festim Zaçe, Merita Dabulla, Alma Ibi Zekollari, Amantia Rrokaj dhe Armela Hysi. Gjatë fjalës së saj, znj. Qama theksoi rolin e artit në ndërtimin e urave kulturore midis diasporës dhe vendlindjes, si dhe rëndësinë që kanë këto takime për të rikonfirmuar identitetin e përbashkët përmes shprehjes krijuese. Ajo ndau gjithashtu kujtime nga figurat korçare që kanë kontribuar në jetën kulturore të Athinës, si Dhimitër Orgocka, Ligoraq Rizo dhe Arjan Kallço.
Në një referim të veçantë, kritika Armela Hysi solli në vëmendje figurat më përfaqësuese të “LiterArt”-it, duke përmendur emra si Miho Gjini – “Mjeshtër i Madh” dhe Kryetar Nderi i Lidhjes, Stefan Martiko, Nikolla Llambroni, Telemak Korça, Thanas Medi, Leonidha Bullgari, Karafil Shena, Marsela Lena, Alma Zekollari, Elona Gjergo, Armela Hysi, Vefi Redhi dhe Merita Dabulla, të gjithë me vlerësime të shumta në fushat e tyre dhe me kontribute që dëshmojnë për cilësinë dhe pasurinë artistike që diaspora shqiptare i ofron kulturës kombëtare.
Programi vijoi me shfaqjen e një videoje artistike, e realizuar nga regjisorja Alma Ibi Zekollari, ku u përmbledh krijimtaria poetike e disa prej anëtarëve të Lidhjes. Ndërkohë, aktorja Merita Dabulla interpretoi fragmente nga monografia “Margarita Xhepa – Diva shqiptare” dhe poezi nga Pirro Loli dhe Hiqmet Meçaj, ndërsa poeti Artur Shkira solli vargje nga krijimtaria e tij, duke e shoqëruar gjithashtu me një pjesë muzikore të luajtur në kitarë.
Një kënd i veçantë iu kushtua artit pamor, ku krijuesja Amantia Rrokaj ekspozoi piktura të realizuara me materiale të riciklueshme, duke sjellë mesazhe të forta artistike dhe mjedisore.
Në fund të takimit, Kryetari i Bashkisë, z. Sotiraq Filo, vlerësoi këtë nismë si një model për t’u ndjekur, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla në forcimin e lidhjeve midis diasporës dhe qyteteve shqiptare. Përshëndetje të veçanta u dhanë edhe nga z. Vladimir Prifti, ish-kryetar i Shoqatës “Korça”, ndërsa pjesa muzikore u pasurua nga interpretimet e Sazan Rushanit, Gloria Nures dhe Ardiana Pinanit, e cila erdhi enkas nga Tirana për këtë takim.
Korça i dhuroi miqve të saj nga diaspora një mozaik mikpritjeje, kulture dhe bukurie, duke treguar se arti mbetet gjithmonë një gjuhë që i bashkon shqiptarët, kudo që ndodhen.