Gjuha shqipe për fëmijët shqiptarë në Suedi

E mërkurë, 2 Korrik, 2025

Numri i fëmijëve shqiptarë në diasporë tani është i  konsiderueshëm, çka nënkupton përgjegjësi dhe kërkon  profesionalizëm në mësimdhënien e gjuhës amtare.  Mjediset e ndryshme sociale dhe gjuhësore ku jetojnë fëmijët në diasporë ndikojnë jo pak në mësimin dhe të folurit e gjuhës amtare. Unifikimi i tekstit “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” është një arritje e madhe
dhe u ka ardhur në ndihmë jo vetëm fëmijëve që duan të lexojnë e të mësojnë shqip, por edhe mësuesve, sepse qëllimi nuk është vetëm komunikimi, por edhe ruajtja e identitetit kombëtar, origjina e prejardhjes e shumë të
tjera. I përshtatur sipas kurrikulës mësimore në Shqipëri dhe në Kosovë, ky tekst erdhi si domosdoshmëri te fëmijët shqiptarë në diasporë, sepse gjuha shqipe është gjuhë e dytë për ta, duke qenë se gjuha e parë është ajo e
vendit ku ata jetojnë. Jo pak herë mësimdhënia e gjuhës shqipe duhet të shpjegohet me strukturën gjuhësore të gjuhës së vendit ku fëmijët jetojnë dhe rriten. Kjo është një sfidë jo e lehtë për mësuesin, pasi ai duhet të tregojë kujdes në shqiptimin e disa fonemave specifike që gjuha shqipe ka, si: fonemat dyshe, qiellzoret dhe ato laringale. Specifikisht këtu flasim për mësimdhënësit në

Suedi, ku një pjesë e mirë e fëmijëve shqiptarë kanë lindur në Suedi dhe kur flasin apo lexojnë shqip, ata nisen nga struktura gjuhësore dhe shqiptimi gjuhësor suedez, çka ua vështirëson jo pak shqiptimin e  bashkëtingëlloreve dyshe, si: ll, rr, sh, dh, nj, xh, zh, gj etj., duke i lexuar shpesh si shkronja më vete ose i “kapërcejnë” duke ua vështirësuar më tepër të folurit dhe të kuptuarit. Një rast tjetër për t’u përmendur është ngatërrimi i shqiptimit të shkronjës “O” në shqip me “O” në suedisht, ku kjo e fundit shqiptohet si -u.

E njëjta gjë ndodh me shkronjën “U”, që në suedisht shqiptohet si -y. Për shembull, sfida shfaqet gjatë një diktimi, sepse kur mësuesi lexon tekstin dhe nxënësit duhet ta shkruajnë, në mënyrë të pavetëdijshme, fjalët me shkronjën -o, -u, -y, -e etj. ata i shkruajnë sipas gjuhës suedeze dhe jo sipas gjuhës shqipe. Këtu mësuesit mund të ndalen më gjatë, duke i dhënë vëmendjen e duhur, si për shembull:  përsëritja e vazhdueshme e këtyre shkronjave përmes teksteve të ndryshme apo ilustrimi  i tekstit me audio ose video duke u ndalur specifikisht te problemi, sepse në këtë mënyrë fëmija mund të bëjë dallimin dhe mëson korrekt shqiptimin në shqip.

Rendi i fjalëve në fjali është një tjetër sfidë që hasin fëmijët shqiptarë gjatë mësimit të gjuhës amtare, duke qenë se gjuha suedeze ka një rend të ngulitur në fjali dhe jo një rend të lirë si ajo e shqipes. Nisur nga kjo, fëmijët shkruajnë shpesh sipas rendit gjuhësor suedez

çka u vështirëson atyre jo vetëm procesin e të kuptuarit, por edhe të folurit dhe të shkruarit të gjuhës. Më i zakonshëm është rasti i përdorimit të pjesës  mohuese, sepse në gjuhën suedeze pjesa mohuese shkruhet dhe thuhet pas foljes. Pra, nëse në shqip unë shprehem me fjalinë nuk jam unë, në gjuhën suedeze rendi është: Det är inte jag (Jam nuk unë). Vëmendja nga ana e mësuesit këtu duhet të jetë e veçantë dhe unë sugjeroj shpesh që, në raste të tilla, me fëmijët të punohet me fjali të thjeshta dhe të shkurtra për të kuptuar ndryshimin.

Mësimdhënia e gjuhës shqipe duhet të bëhet e integruar me gjuhën e vendit ku fëmijët jetojnë. Shpesh mësuesi duhet të sjellë shembuj krahasues ndërmjet dy gjuhëve, sepse në këtë mënyrë fëmijët e kuptojnë më mirë dallimin, por edhe mësojnë se si ndërtohet një fjali e thjeshtë në shqip në krahasim me atë të gjuhës së vendit ku jetojnë. Nga ana tjetër, duke zhvilluar një mësimdhënie të integruar në dy gjuhë, lehtësia vjen jo vetëm në shqiptim, por edhe në pasurimin e fjalorit dhe të leksikut të teksteve. Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë përtej sfidës është një mision për ta mbajtur atë të gjallë ndër brezat që lindin dhe rriten jashtë Shqipërisë dhe Kosovës. Përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët shqiptarë në diasporë, mësimi i gjuhës shqipe nga një sfidë dhe mision fillon e bëhet domosdoshmëri, duke i bërë fëmijët të ndiejnë se gjuha shqipe është identitet dhe krenari.

Nga Arta Emiri – Mësuese e licensuar për mësimin e “Gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare” në Stockholm Suedi.

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.