Në një qoshe historike të Manchesterit, e mbushur me aromë letre të vjetër dhe bojë, ndodhet një nga thesaret më të çmuara të kulturës britanike – Chetham’s Library, biblioteka më e vjetër publike në Mbretërinë e Bashkuar, e hapur në vitin e largët 1653. Kjo bibliotekë unike u themelua sipas testamentit të filantropit Humphrey Chetham (1580–1653), një tregtar i pasur dhe vizionar, i cili refuzoi një nga titujt më të lartë të mbretërisë – Knighthood, duke u gjobitur për këtë vendim. Ai qëndroi besnik thjeshtësisë dhe idealeve të tij njerëzore.
Chetham ishte më shumë se një bamirës. Me një shpirt të rrallë human, ai themeloi jo vetëm bibliotekën, por dhe një shkollë për djem të varfër, nga mosha 6 deri në 12 vjeç. Objektivi i tij ishte i qartë: të largonte fëmijët nga rruga dhe t’i orientonte drejt edukimit dhe profesioneve. Pikërisht në këtë vend sot funksionon Chetham’s School of Music, një lice artistik i nivelit të lartë ku studiojnë vajza dhe djem nga e gjithë bota.
Biblioteka ruhet me përkushtim brenda ambienteve të liceut të muzikës dhe është pjesë e strukturës së Katedrales së Manchesterit. Për ta vizituar duhet një prenotim i thjeshtë me një pagesë simbolike, e cila përdoret si donacion për mirëmbajtjen e saj. Hapësira e saj është ruajtur me dashuri dhe kujdes, ku çdo detaj dëshmon për një histori mbi 370-vjeçare.
Librat, të cilët dikur shkruheshin me dorë dhe kishin kopertina prej lëkure, përfaqësojnë një trashëgimi të rrallë. Në një kohë kur një libër kushtonte sa një fermë, biblioteka përmban gjithashtu një makineri të vjetër për shtypjen e fletëve – një dëshmi e çmuar e teknologjisë së hershme të botimit. Furnizimi me libra bëhej vetëm nga Londra dhe transporti zgjaste shtatë ditë me karrocë.
Sot, Chetham’s Library mbetet një pasuri në shërbim të studjuesve nga e gjithë bota. Ajo është një prej të vetmave biblioteka ku pasuria informatike dhe arkivorja mund të shfrytëzohet falas, duke e bërë atë një institucion unik në llojin e vet.
Kur Marks dhe Engels lexonin në Manchester
Kjo bibliotekë mban gjithashtu një kapitull të veçantë në historinë e filozofisë dhe ekonomisë. Në verën e vitit 1845, Karl Marksi, atëherë 27 vjeç, vizitoi për herë të parë Anglinë së bashku me mikun e tij Friedrich Engels. Pikërisht në një nga dhomat e leximit të Chetham’s Library, në një tryezë që ende ruhet sot, ata lexuan veprat e ekonomistëve më të mëdhenj të kohës dhe hodhën bazat për “Manifestin Komunist”.
Biblioteka nuk është thjesht një vend ku ruhen libra – ajo është një muze gjuhësh, një dëshmi e fuqisë së dijes që ka përballuar shekuj të tërë transformimesh.
Në librin e përshtypjeve të vizitorëve, mes dhjetëra gjuhëve të botës, shfaqet dhe një shënim në shqip:
“U mahnita nga kjo pasuri.”
Vizita në Chetham’s Library është më shumë se një përvojë kulturore – është një udhëtim në kohë, në zemrën e një trashëgimie që flet me zë të qetë, por thellësisht të fuqishëm për dijen, humanizmin dhe historinë.