Mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë janë përballur gjithmonë me sfida, qofshin ato njerëzore, praktike e didaktike. Megjithëse me kalimin e viteve ata përshtaten dhe gjejnë mënyra për të kapërcyer pengesat, pak prej tyre flasin për vështirësitë e fillimeve të tyre në mësimdhënie. Për këtë arsye, po sjellim një intervistë me një mësuese të re të gjuhës shqipe në diasporë, e cila ka përjetuar nga afër këto sfida dhe ka ndërtuar një përvojë të pasur në mësimdhënien e shqipes jashtë atdheut.
Valbona Alili është një mësuese e përkushtuar e gjuhës dhe kulturës shqipe në Zvicër. E diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Fakultetin Filozofik, në degën Pedagogji Klasore, ajo ka zgjedhur që t’i përkushtohet në emigrim profesionit për të cilin ka kryer studimet, pra, mësimdhënies, e të ndihmojë brezin e ri shqiptar në diasporë të ruajë dhe të zhvillojë identitetin e tij gjuhësor e kulturor. Prej gati tre vitesh, Valbona punon me fëmijë shqiptarë në katër shkolla të ndryshme të Zvicrës, të shpërndara në kantonet Thurgau (Amrisëil, Romanshorn dhe Frauenfeld) dhe St. Gallen, në Rebstein. Me pasionin dhe përkushtimin e saj, ajo jo vetëm që u mëson nxënësve shqipen, por përpiqet ta bëjë këtë proces sa më tërheqës dhe domethënës për ta.
Valbona, si lindi dëshira për të dhënë mësim në gjuhën shqipe në Zvicër?
Dëshira lindi nga dashuria për gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Duke jetuar jashtë atdheut, e kam kuptuar sa e rëndësishme është ruajtja dhe transmetimi i gjuhës shqipe te brezat e rinj. Motivimi im kryesor ka qenë dëshira për t’i ndihmuar fëmijët shqiptarë të rriten duke e njohur dhe duke e folur gjuhën e tyre amtare, si dhe për t’i ndihmuar të lidhen me rrënjët dhe kulturën e tyre. Kur pashë sa e madhe ishte nevoja për mësues të përkushtuar në këtë fushë, vendosa të marr këtë rrugë me shumë përkushtim dhe dashuri.
Si një mësuese e re, a ka qenë e vështirë të fitoni besimin e prindërve dhe fëmijëve? Si e keni ndërtuar marrëdhënien me ta?
Si çdo fillim i ri, ka pasur sfidat e veta, por unë gjithmonë kam besuar se puna e ndershme, përkushtimi dhe dashuria për atë që bën janë çelësi për të fituar besimin e të tjerëve. Prindërit duan më të mirën për fëmijët e tyre, ndaj ishte e drejtë që ata të shihnin se unë nuk isha aty vetëm si mësuese, por edhe si dikush që me gjithë zemër dëshironte t’i ndihmonte fëmijët e tyre ta mësonin dhe ta dashuronin gjuhën shqipe.
Marrëdhënien me prindërit dhe fëmijët e kam ndërtuar përmes komunikimit të hapur, respektit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm.
Gjithmonë kam qenë e gatshme të dëgjoj shqetësimet e prindërve dhe të punoj së bashku me ta për të krijuar një mjedis sa më të mirë për mësimin e fëmijëve. Ndërsa me fëmijët, përveç mësimit, kam ndërtuar një raport të ngrohtë dhe miqësor, duke i inkurajuar dhe duke i motivuar që ta shohin gjuhën shqipe jo si një detyrim, por si një pasuri të çmuar. Me kalimin e kohës, besimi erdhi natyrshëm dhe sot ndihem jashtëzakonisht e lumtur për lidhjen e fortë që kemi krijuar së bashku.
Cila ka qenë sfida më e madhe që keni përjetuar si mësuese e re e gjuhës shqipe në diasporë?
Si mësuese e re e gjuhës shqipe në diasporë, sfida më e madhe ka qenë motivimi i fëmijëve për ta mësuar dhe për ta përdorur gjuhën shqipe në jetën e tyre të përditshme. Shumë prej fëmijëve rriten në një mjedis ku gjuha dominuese është ajo e vendit ku jetojnë dhe shqipja mbetet ndonjëherë në plan të dytë. Për këtë arsye, një nga misionet e mia ka qenë ta bëj mësimin e gjuhës shqipe sa më tërheqës, duke përdorur metoda dinamike, aktivitete krijuese dhe duke e lidhur gjuhën me kulturën dhe traditat tona.
Një tjetër sfidë ka qenë edhe balancimi i pritshmërive të prindërve, të cilët duan që fëmijët e tyre ta mësojnë gjuhën sa më mirë, me realitetin e fëmijëve që shpesh përballen me mungesë kohe dhe interesimi për shkak të angazhimeve të tjera. Por me durim, përkushtim dhe një qasje të përshtatur për çdo fëmijë kemi arritur të krijojmë një ambient ku mësimi i shqipes bëhet me dashuri dhe jo me detyrim. Ky është një proces i vazhdueshëm dhe çdo hap përpara është një sukses që më motivon edhe më shumë.
Si e përjetuat kontaktin e parë me fëmijët në klasë? A e patët të vështirë si mësuese e re të fitonit vëmendjen dhe respektin e tyre?
Kontakti i parë me fëmijët në klasë ishte njëkohësisht një përvojë emocionuese dhe sfiduese. Nga njëra anë, ndieja gëzim dhe entuziazëm për të nisur këtë rrugëtim, por, nga ana tjetër, e kuptoja që duhej të gjeja mënyrën e duhur për të fituar vëmendjen dhe respektin e tyre. Në fillim, fëmijët ishin kureshtarë dhe disa prej tyre pak të rezervuar, pasi një mësuese e re për ta ishte diçka e panjohur. Por unë u përpoqa t’u afrohem në mënyrë të ngrohtë dhe miqësore, duke krijuar një ambient të hapur dhe të këndshëm në klasë. Përdora metoda interaktive për ta bërë mësimin më argëtues dhe tërheqës, gjë që i ndihmoi fëmijët të ndiheshin rehat dhe të angazhoheshin me dëshirë. Sigurisht, nuk ishte e lehtë që të gjithë të fokusoheshin menjëherë, veçanërisht ata që nuk kishin shumë interes për shqipen në fillim.
Por me durim dhe me ndërtimin e një marrëdhënieje të bazuar në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, arrita të fitoj besimin dhe dashamirësinë e tyre. Sot mund të them me krenari se kemi krijuar një lidhje shumë të mirë dhe një atmosferë ku fëmijët ndihen të motivuar dhe të lumtur për të mësuar shqip.
A ka pasur raste kur fëmijët nuk kanë treguar interes për mësimin e gjuhës shqipe? Si e keni menaxhuar këtë situatë?
Po, ka pasur raste. Dhe kjo është një sfidë e zakonshme për mësuesit në diasporë. Shumë prej fëmijëve rriten në një mjedis ku shqipja nuk është gjuha kryesore e
komunikimit dhe shpesh e shohin atë si diçka dytësore, veçanërisht kur nuk e përdorin në jetën e tyre të përditshme. Në këto raste, kam ndjekur disa strategji për t’i motivuar. Së pari, mundohem ta bëj mësimin sa më tërheqës dhe interaktiv, duke përdorur lojëra, këngë, tregime dhe aktivitete krijuese që i përfshijnë fëmijët në mënyrë të natyrshme. Kur ata shohin se mësimi i shqipes mund të jetë argëtues dhe jo vetëm një detyrë shkollore, interesimi i tyre rritet. Së dyti, përpiqem ta lidh gjuhën shqipe me identitetin e tyre personal. I inkurajoj të ndajnë përvoja nga udhëtimet e tyre në Shqipëri, Kosovë apo trojet e tjera shqiptare, t’u tregojnë familjarëve ndonjë fjalë të re që kanë mësuar dhe të ndihen krenarë për rrënjët e tyre. Shpesh, kur e kuptojnë se të dish shqip është një vlerë e shtuar dhe një mënyrë për të komunikuar më mirë me gjyshërit apo të afërmit, ata fillojnë ta shohin mësimin e gjuhës shqipe ndryshe.
Gjithashtu, bashkëpunimi me prindërit ka qenë shumë i rëndësishëm. Kur familja mbështet dhe inkurajon përdorimin e shqipes në shtëpi, fëmijët e ndiejnë më shumë rëndësinë e saj dhe bëhen më të angazhuar. Me kalimin e kohës, shumica prej tyre e gjejnë një arsye personale për ta mësuar shqipen dhe fillojnë ta përqafojnë këtë proces me më shumë dëshirë.
A ndieni ndonjëherë lodhje ose zhgënjim nga fakti që disa fëmijë mund ta shohin mësimin e shqipes më shumë si një detyrim sesa një dëshirë?
Po, ka momente të tilla. Është normale që ndonjëherë të ndihesh e lodhur, sidomos kur sheh që përpjekjet nuk japin menjëherë rezultat. Ajo që më motivon më shumë është ndikimi afatgjatë që e di se ky mësim ka në jetën e tyre. Kur shoh që një fëmijë, i cili dikur nuk kishte interes, papritur fillon të tregojë më shumë interes, të përdorë fjalë të reja në shqip apo të ndiejë krenari për identitetin e tij, e kuptoj që puna ime ka vlerë. Çdo përparim, sado i vogël, është një sukses për mua.
Për t’u motivuar, mundohem të fokusohem te momentet pozitive: buzëqeshjet e fëmijëve, pyetjet e tyre plot kërshëri, gëzimi që ndiej kur ndonjëri prej tyre më tregon se ka folur shqip me gjyshërit. Gjithashtu, mbështetja e prindërve dhe falënderimet e tyre janë një shtysë e madhe për të vazhduar. Më kujtohet gjithmonë pse e kam zgjedhur këtë rrugë: për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën tonë tek brezat e rinj. Kjo është më shumë se një punë, është një mision, dhe për sa kohë ka fëmijë që kanë nevojë për këtë mësim, unë do të vazhdoj me të njëjtin përkushtim dhe të njëjtën dashuri.
A keni pasur vështirësi me programin dhe materialet didaktike? A mendoni se ka burime të mjaftueshme për një mësues të ri të gjuhës shqipe në diasporë?
Po, që në fillim kam hasur vështirësi. Materialet shpesh janë të shpërndara dhe nuk përshtaten gjithmonë me nevojat specifike të fëmijëve që rriten jashtë vendit, të cilët kanë nivele të ndryshme të njohjes së shqipes.
Si mësuese e re, më është dashur të kërkoj, të përshtat dhe të krijoj materiale që i bëjnë orët mësimore më tërheqëse dhe efektive. Kam eksploruar burime nga Shqipëria, Kosova dhe platforma të ndryshme edukative, por shpesh më është dashur të improvizoj për të gjetur mënyrën më të mirë për të mësuar fëmijët në një mjedis ku shqipja nuk është gjuha kryesore. Mendoj se ka ende nevojë për më shumë mbështetje në këtë aspekt, me sa më shumë libra, mjete digjitale dhe aktivitete që e bëjnë procesin mësimor më tërheqës. Gjithashtu, krijimi i një rrjeti më të fortë bashkëpunimi mes mësuesve në diasporë do të ndihmonte në shkëmbimin e eksperiencave dhe materialeve, duke lehtësuar punën për të gjithë.
Megjithatë, pavarësisht sfidave, kjo më ka dhënë edhe mundësinë të jem më kreative dhe të përshtat metodologjinë time me nevojat e nxënësve. Kur shoh që fëmijët angazhohen dhe mësojnë me dëshirë, e kuptoj se ia vlen çdo përpjekje.
Si e përballoni sfidën e niveleve të ndryshme të njohurive në një klasë? A keni nxënës që flasin shumë mirë shqip dhe të tjerë që mezi e kuptojnë? Si i balanconi mësimet për të gjithë?
Po, kjo është një nga sfidat më të mëdha në mësimin e shqipes në diasporë, sepse në një klasë ka gjithmonë fëmijë me nivele të ndryshme të njohjes së gjuhës. Disa e flasin rrjedhshëm, sepse e përdorin në shtëpi, ndërsa të tjerë mezi e kuptojnë, pasi komunikimi i tyre i përditshëm bëhet kryesisht në gjuhën e vendit ku jetojnë. Për ta menaxhuar këtë situatë, përdor metoda të ndryshme që i përshtaten secilit nivel. Një nga qasjet që funksionon mirë është ndarja e detyrave sipas aftësive të fëmijëve, në mënyrë që të gjithë të ndihen të përfshirë dhe të sfiduar në mënyrën e duhur. Për shembull, ata që e flasin më mirë shqipen mund të angazhohen në ushtrime më komplekse, si shkrimi i tregimeve ose diskutimi mbi tema të caktuara, ndërsa ata që janë në nivel fillestar punojnë më shumë me fjalor bazë, ushtrime të thjeshta dhe përsëritje të fjalëve e shprehjeve të reja.
Po ashtu shpesh i përfshij nxënësit që flasin më rrjedhshëm për të ndihmuar ata që kanë më shumë vështirësi. Kjo jo vetëm që i ndihmon fëmijët që po mësojnë, por edhe forcon vetëbesimin e atyre që tashmë e flasin mirë shqipen. Krijimi i një ambienti bashkëpunues është kyç, sepse ndihmon që fëmijët të mos ndihen të pasigurt ose të turpëruar për nivelin e tyre. Përveç kësaj, mundohem që mësimi të jetë sa më dinamik dhe argëtues për të gjithë: lojëra, histori, muzikë dhe aktivitete interaktive që i motivojnë nxënësit të angazhohen pavarësisht nivelit të tyre. Në këtë mënyrë, secili fëmijë ndien se po mëson diçka të re pa e parë gjuhën shqipe si një barrë, por si diçka që mund ta shijojë dhe ta përdorë me krenari.
A e ndieni ndonjëherë presionin që vjen nga fakti se ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë është një përgjegjësi e madhe?
Po, e ndiej këtë përgjegjësi dhe e kuptoj sa e rëndësishme është puna që bëjmë si mësues të gjuhës shqipe në diasporë. Gjuha është një nga shtyllat kryesore të identitetit tonë kombëtar. Fakti që fëmijët shqiptarë, të cilët rriten jashtë atdheut, mund ta humbasin atë është diçka që më bën të reflektoj thellë. Në njëfarë mënyre, ne nuk jemi vetëm mësues, por edhe ruajtës të kulturës dhe traditave tona.
Përballja me këtë përgjegjësi nuk është gjithmonë e lehtë, por unë e shoh atë si një mision dhe mundësi për të bërë një ndryshim të vërtetë. Për ta menaxhuar këtë presion, përqendrohem te gjërat pozitive; çdo fëmijë që mëson një fjalë të re, që fillon të flasë më rrjedhshëm shqip, që tregon interes për kulturën tonë është një hap përpara. Gjithashtu, mundohem të mos e shoh këtë sfidë si një barrë personale, por si një përpjekje kolektive. Bashkëpunimi me prindërit, komunitetin dhe mësues të tjerë më ndihmon të ndiej se nuk jam vetëm në këtë rrugëtim. Për mua, motivimi kryesor është të di që po jap një kontribut sado të vogël për të mbajtur gjallë gjuhën dhe identitetin tonë tek brezat e rinj. Kjo më jep forcë dhe entuziazëm për të vazhduar me pasion dhe përkushtim.
Çfarë metode keni zbuluar gjatë këtyre viteve që funksionon më mirë për të mbajtur fëmijët të angazhuar në mësim? A ka diçka që keni provuar dhe nuk ka funksionuar?
Gjatë këtyre tre viteve kam zbuluar se metoda më efektive për të mbajtur fëmijët të angazhuar është mësimi i bazuar në lojëra dhe aktivitete interaktive. Fëmijët në diasporë shpesh e shohin gjuhën shqipe si një lëndë shtesë krahas shkollës së tyre të rregullt, prandaj është e rëndësishme që orët të jenë argëtuese dhe jo të ndihen si një detyrë e rëndë.
Në fund të ditës, e kam kuptuar se çelësi i suksesit është fleksibiliteti dhe përshtatja me interesat dhe nevojat e fëmijëve. Kur ata ndihen të përfshirë dhe argëtohen gjatë mësimit, edhe përparimi është shumë më i madh.
A keni hasur ndonjëherë sfida me prindërit? Për shembull, a ka pasur raste kur ata nuk kanë qenë plotësisht të përkushtuar për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë shqip?
Po, ka pasur raste kur kam hasur sfida me prindërit. Një nga sfidat më të zakonshme ka qenë angazhimi i tyre në procesin e mësimit të shqipes. Prindërit shpesh janë të zënë me punë dhe angazhime të tjera, dhe ndonjëherë ndihen të ngarkuar për të mbështetur mësimin e gjuhës shqipe në shtëpi. Disa prej tyre mund të ndihen të pasigurt për nivelin e tyre të shqipes ose mund të jenë të shqetësuar për faktin që fëmijët po i rrisin në një mjedis ku gjuha kryesore është ajo e vendit ku jetojnë.
Për të përballuar këtë sfidë, jam përpjekur të krijoj një komunikim të hapur dhe të rregullt me prindërit, duke i inkurajuar të mbështesin mësimin e shqipes në mënyra të thjeshta dhe të natyrshme, siç janë:
- Krijimi i rutinave të vogla në shtëpi:
I këshilloj prindërit që të bisedojnë në shqip me fëmijët e tyre sa më shumë të munden, edhe nëse është vetëm për disa minuta në ditë, për t’i ndihmuar ata të përmirësojnë aftësitë e të folurit dhe të kuptuarit.
- Përdorimi i materialeve të thjeshta dhe tërheqëse: U sugjeroj përdorimin e librave të thjeshtë, këngëve dhe videove edukative që mund t’i shohin së bashku
si familje. Kjo është një mënyrë e natyrshme për të inkurajuar mësimin e shqipes pa e bërë ndihmën e prindërve si një detyrim për ta.
- Mbështetje dhe inkurajim:
I inkurajoj prindërit të festojnë çdo arritje të vogël të fëmijëve në mësimin e shqipes, duke krijuar një atmosferë pozitive dhe motivuese.
Unë e kuptoj që jo të gjithë prindërit kanë të njëjtin nivel të shqipes, prandaj përpiqem t’i ndihmoj ata të gjejnë mënyra të tjera për të përkrahur fëmijët e tyre, si: t’u lexojnë libra të thjeshtë ose t’i ndihmojnë të shprehen në shqip përmes aktiviteteve krijuese si vizatimi ose shkrimi i tregimeve të shkurtra.
Megjithatë, ka pasur shumë prindër që janë jashtëzakonisht të përkushtuar dhe të gatshëm të mbështesin mësimin e gjuhës shqipe. Ky angazhim është një shtysë e madhe për mua, sepse, kur bashkëpunojmë, mund të arrijmë rezultate shumë pozitive.
A mendoni se mësuesit e rinj të gjuhës shqipe në diasporë duhet të krijojnë një rrjet mbështetjeje mes tyre? A do të ishte kjo një ndihmë për të ndarë përvoja dhe sfida të përbashkëta?
Po, mendoj se krijimi i një rrjeti mbështetjeje mes mësuesve të rinj të gjuhës shqipe në diasporë do të ishte jashtëzakonisht i dobishëm. Ky rrjet mund të ofronte mundësinë për të ndarë përvoja, ide, materiale didaktike dhe për të diskutuar sfidat e përbashkëta që hasim në këtë fushë. Të gjithë ne përballemi me situata dhe vështirësi të ngjashme, si: niveli i ndryshëm i njohurive të fëmijëve, mungesa e materialeve të përshtatshme dhe ndonjëherë mungesa e mbështetjes nga prindërit.
Përmes një rrjeti mbështetjeje, mësuesit mund të ndihmojnë njëri-tjetrin duke ndarë teknika dhe strategji që kanë funksionuar, mund të organizojnë trajnime dhe workshop-e për të përmirësuar mësimdhënien dhe mund të krijojnë materiale didaktike të përbashkëta, duke lehtësuar punën e çdo mësuesi të ri. Gjithashtu, ky rrjet mund të krijonte mundësi për mësuesit që të ndihmohen emocionalisht, pasi puna në diasporë shpesh mund të jetë e vetmuar dhe e lodhshme. Bashkëpunimi mund të forconte ndjesinë e komunitetit dhe të ofronte mundësi për të ndihmuar njëri-tjetrin në përballimin e sfidave. Për shembull, mësuesit mund të organizonin aktivitete të përbashkëta për fëmijët e tyre, si aktivitete kulturore ose evenimente sociale që do t’i lidhin më shumë me gjuhën dhe kulturën shqiptare. Në fund, ky rrjet mbështetjeje mund të ndikonte pozitivisht edhe në rritjen e cilësisë së mësimit dhe motivimin e mësuesve të rinj, duke i bërë ata të ndihen të vlerësuar dhe të mbështetur në një përpjekje kaq të rëndësishme.
Sa mbështetje merrni nga institucionet shqiptare apo komuniteti shqiptar në Zvicër? A mendoni se një mësues i ri ka hapësirë të mjaftueshme për të zhvilluar ide dhe projekte të reja?
Për sa i përket mbështetjes nga institucionet shqiptare dhe komuniteti shqiptar në Zvicër, kam pasur mbështetje të rëndësishme nga disa individë dhe struktura. Në veçanti, dua të theksoj mbështetjen e plotë që kam marrë nga koordinatori i shkollës shqipe z. Vaxhid Sejdiu dhe nga koordinatori kantonal z. Nexhat Hyseni. Ata kanë qenë gjithmonë të gatshëm të ofrojnë ndihmë dhe udhëzime në çdo hap të procesit mësimor duke qenë një burim i rëndësishëm mbështetjeje për mua si mësuese e re. Zoti Vaxhid Sejdiu ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për organizimin e mësimeve dhe ka ndihmuar në krijimin e një strukture më të mirë për zhvillimin e mësimdhënies së gjuhës shqipe. Po ashtu z. Nexhat Hyseni ka qenë një mbështetje shumë e rëndësishme për mësuesit në nivel lokal, duke siguruar që të kemi burimet dhe mundësitë e nevojshme për të realizuar projekte edukative. Përveç mbështetjes nga koordinatorët dhe komuniteti shqiptar në Zvicër, një ndihmë e madhe ka ardhur edhe nga institucionet shqiptare. Qendra e Botimeve për Diasporën ka luajtur një rol kyç në sigurimin e materialeve të duhura didaktike për mësimin e gjuhës shqipe. Tekstet mësimore “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” janë një burim i vlefshëm, duke e lehtësuar punën e mësuesve dhe duke i ndihmuar fëmijët ta mësojnë shqipen në mënyrë më të strukturuar dhe efikase. Gjithashtu, mbështetja e dy ministrive të arsimit, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, ka qenë një shtysë e rëndësishme për zhvillimin dhe fuqizimin e shkollave shqipe në diasporë. Këto institucione kanë mundësuar sigurimin e teksteve dhe kanë dhënë ndihmë për përmirësimin e cilësisë së arsimit shqip jashtë atdheut. Duke pasur këtë mbështetje të shumanshme, mësuesit e rinj si unë ndihen më të motivuar dhe të aftë për të zhvilluar ide dhe projekte të reja në shërbim të brezave të rinj të diasporës. Në përfundim, dua të shpreh falënderimet më të sinqerta për mundësinë që më dhatë të ndaj përvojat dhe pasionin tim me ju. Ishte një kënaqësi e veçantë të flas për rolin e mësuesit të gjuhës shqipe në diasporë. Shpresoj që ky bashkëbisedim të ndihmojë në promovimin e vlerave tona dhe të kontribuojë në forcimin e lidhjeve mes brezave. Faleminderit shumë për vëmendjen dhe interesin tuaj!
Intervista e plotë është botuar fillimisht në revistën “Flasim Shqip” nga Qendra e Botimeve për Diasporën.