Në një atmosferë të zjarrtë dhe përpara mijëra tifozëve në stadiumin Letzigrund të Cyrihut, FC Zürich shkroi një tjetër faqe të artë në historinë e futbollit zviceran të femrave. Në finalen e Kupës së Zvicrës, ekipi vendas triumfoi me rezultat minimal 1:0 ndaj FC Basel, duke ngritur trofeun prestigjioz.
Një nga momentet më të veçanta të kësaj ndeshjeje ishte përfshirja në lojë e Alketa Ramës, futbollistes me origjinë shqiptare, e cila hyri në fushë në minutën e 81-të për të ndihmuar skuadrën e saj të mbante avantazhin e çmuar. Me një paraqitje plot energji dhe vendosmëri, ajo kontribuoi në këtë fitore historike për FC Zürich.
Trashëgimia e një legjende dhe hapat e së bijës
Emri “Rama” është i njohur për të gjithë shqiptarët në Zvicër dhe në botën e futbollit zviceran. Milaim Rama, babai i Alketës, është një figurë e paharrueshme për tifozët, duke qenë një nga lojtarët më të shquar shqiptarë që ka veshur fanellën e Përfaqësueses së Zvicrës. Një sulmues i jashtëzakonshëm, i cili për vite me radhë ishte ndër golashënuesit më të mirë të ligës zvicerane, ai hapi dyert për shumë talente shqiptare që sot janë pjesë e elitës së futbollit ndërkombëtar.
Tani, është radha e Alketës për të shkruar historinë e saj. E talentuar dhe e përkushtuar, ajo jo vetëm që po shkëlqen me FC Zürich, por gjithashtu është një emër premtues për Përfaqësuesen e Kosovës, të cilës do t’i bashkohet në ditët në vijim për grumbullimin e radhës.
Fjalët e kampiones dhe mbështetja e familjes
Pas fitores, Alketa nuk mund të fshihte emocionet e saj. Në një prononcim ekskluziv për SAM24.info, ajo u shpreh:
“Jam jashtëzakonisht e lumtur për këtë sukses. Ishte një ndeshje e vështirë, por ne dhamë maksimumin dhe u shpërblyem me këtë trofe të madh. Dua të falënderoj trajnerin, stafin, bashkëlojtaret dhe, mbi të gjitha, tifozët tanë që na mbështetën gjatë gjithë sezonit. Ky është një moment i paharrueshëm për mua dhe për gjithë ekipin. Po ashtu, një falënderim i veçantë shkon për prindërit e mi, sidomos për babain tim, i cili ka qenë gjithmonë një inspirim dhe një mbështetje e madhe në rrugëtimin tim sportiv.”
Nga ana tjetër, legjenda Milaim Rama ndau emocionet e tij për suksesin e vajzës:
“Jam jashtëzakonisht krenar që po flas për SAM24.info për Alketën dhe për të gjithë ekipin e FC Zürich. Kjo fitore është frut i një pune të palodhur dhe i përkushtimit maksimal. Shpresoj që sukseset të vazhdojnë dhe që Alketa të ketë një karrierë të gjatë dhe të ndritur. Futbolli kërkon përkushtim, punë dhe disiplinë – dhe ajo ka treguar se e ka këtë mentalitet fituesi.”
Një shembull frymëzimi për diasporën shqiptare
Kjo fitore nuk është vetëm një triumf sportiv, por edhe një moment krenarie për diasporën shqiptare. Arritjet e futbollistëve shqiptarë në Zvicër dhe në mbarë botën tregojnë se talenti ynë është i pafund dhe se me punë të palodhur, çdo ëndërr mund të bëhet realitet.
Alketa Rama dhe bashkëkombësja e saj Monika Ibishaj, e cila gjithashtu është pjesë e FC Zürich e cila nuk luajti sot po tregojnë se vajzat shqiptare kanë vendin e tyre në futbollin ndërkombëtar dhe se ato mund të jenë ambasadore të denja të talentit shqiptar në arenën sportive.
Me trofeun e Kupës së Zvicrës në duart e saj, Alketa Rama po hedh hapa të sigurt drejt një të ardhmeje të ndritur, duke dëshmuar se emri “Rama” do të vazhdojë të lërë gjurmë në futbollin zviceran dhe atë shqiptar.
Një gjë është e sigurt: Alketa Rama nuk është vetëm një lojtare e talentuar, por edhe një inspirim për të gjitha vajzat shqiptare që ëndërrojnë të arrijnë majat në futboll dhe në sport.
Urime Alketa! Shqiptarët kudo që janë, janë krenarë për ty! ( Foto nga M.R)
Nga Dashnim HEBIBI