Ka një kënd shqiptar në Reggio Emilia. Një copëz historie emigrantësh që përshkoi detin dhe u mboll këtu, në tokën e Parmixhanos (Parmigianos), duke sjellë me vete rrënjë, shpresa, plagë. Dhe është një identitet që askush nuk ka ndërmend ta lërë t’i ikë.
“Unë nuk erdha se isha i sëmurë, por se doja siguri. Nuk ma jepte më vendi im, por Italia mundi”.
Valbona Stillo, këshilltare e shoqatës Shqiponja dhe forca shtytëse e palodhshme e projektit, mbërriti në Reggio në vitin 2004 me një vajzë trevjeçare për dore, një zemër plot pasiguri dhe dëshirë për të filluar nga e para. Reggio Emilia nuk i ngriti mure. Nuk i mbylli dyert.
“Kam punuar për të njëjtën familje për njëzet vjet. Vajza ime u mirëprit në shkollë pa hezitim, edhe pse nuk e fliste gjuhën. Askush nuk e bëri të ndihej e përjashtuar, as edhe një herë.”
Dhe sot, ajo vogëlushe jo vetëm flet një italishte të përsosur, por zotëron edhe dialektin Reggio. “Megjithatë, në shtëpi flasim shqip – thotë Stillo – sepse nuk mund të jesh dikush pa e ditur se nga vjen”.
Në vitin 2010, shqiptarët e Reggios e kuptuan se kishin nevojë për një pikë referimi. Kështu lindi shoqata “Shqiponja”, nën drejtimin e presidentit Haki Maze: “Është një shtëpi. Një strehë. Një mënyrë për të thënë: ne jemi këtu”.
Dhe në 2019 u hap shkolla në rrugën Marzabotto. “Ne duam që fëmijët tanë të flasin gjuhën tonë, të jenë në gjendje të komunikojnë me gjyshërit e tyre, të mos harrojnë se kush janë. Janë të regjistruar rreth 45 fëmijë dhe numri rritet çdo vit.
Por ka edhe më shumë: “Nuk janë vetëm fëmijët e shqiptarëve të ulur në banka. Ka edhe njerëz nga komunitete të tjera, gra dhe burra që duan të kuptojnë gjuhën e partnerit të tyre; mes tyre, edhe disa italianë”. Dhe pastaj është “Salvavita”, projekti që është mbi të gjitha një litar shpëtimi për ata në Shqipëri që nuk kanë alternativa.
“Sepse shëndetësia është publike, po. Por ka mungesë të barnave. Ka mungesë pajisjesh. Kështu filluam në vitin 2019, në bashkëpunim me rajonin Emilia-Romagna dhe spitalin Santa Maria Nuova. Pacienti i parë kishte leuçemi akute. Sot ai është gjallë, falë Italisë, falë qytetit dhe ekipit mjekësor me zemër të madhe. Ky për ne është një nga projektet më të rëndësishëm”. Valbona gjithashtu tregon edhe për një ëndërr: “Nëse do të kishim vendin tonë, mund të mirëprisnim pacientët që vijnë dhe t’u jepnim një vend qëndrimi gjatë trajtimit.” “Është një ëndërr por edhe një domosdoshmëri.” Në këto vite të shoqërisë “Shqiponja” kujtojnë me emocion 101-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, të festuar në Sala Tricolore: “Kemi shkëmbyer flamuj. I yni kuq e zi dhe ai italian. Ishim në vendin ku u ngrit për herë të parë në Itali flamuri trengjyrësh. Për një ditë, Reggio Emilia ishte Vlora, qyteti ku ne shpallëm pavarësinë”.
Sot komuniteti shqiptar numëron më shumë se 6000 njerëz vetëm në Reggio Emilia. Fëmijët, nipërit, brezi i tretë dhe i katërt tani janë italianë. Por kjo nuk do të thotë se ata kanë harruar se kush janë. “Integrimi është i vërtetë. Fëmijët tanë flasin italisht, studiojnë këtu, punojnë këtu. Por nuk mund t’i lëmë të humbasin gjuhën tonë, vlerat tona.” Dhe mbi të gjitha, ata nuk mund t’i lejojnë ata që vijnë sot të ndihen të vetmuar. “Kur mbërrita, nuk kishte asgjë”, përfundon Valbona Stillo. “Tani ata që vijnë gjejnë një shoqatë të gatshme për t’i ndihmuar, për t’i mbështetur, për t’u shpjeguar sesi funksionon integrimi i vërtetë. Ajo çka do të thotë të jesh pjesë e një shoqërie pa humbur veten”.
Artikull i publikuar ne Il Resto del Carlino: L’affetto del popolo albanese: “Non dimentichiamo le nostre radici. E qui nessuno ha alzato dei muri”
Përktheu dhe përshtati Diaspora Shiqptare