Pas një muaji sakrifice dhe përkushtimi në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë në mbarë vendin kremtojnë sot Fitër Bajramin, një ditë feste, solidariteti dhe gëzimi.
Ceremonia kryesore nisi në orët e para të mëngjesit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku nga ora 06:45 u zhvillua leximi i Kuranit dhe ligjërata fetare, ndërsa në orën 07:30 besimtarët u mblodhën për të falur namazin e Bajramit. Më pas, në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar u mbajtën pritjet tradicionale nga ora 09:00 deri në orën 12:00, ku besimtarë, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe personalitete të ndryshme ndanë urimet për këtë ditë të shënuar.
Besimtarët, të cilët gjatë 29 ditëve të Ramazanit iu përkushtuan agjërimit, lutjeve dhe akteve të mëshirës ndaj të varfërve, e nisën këtë ditë me faljen e namazit dhe më pas vijuan traditën e vizitave familjare e miqësore. Një karakteristikë e veçantë e Shqipërisë është festimi i Fitër Bajramit jo vetëm nga myslimanët, por edhe nga besimtarë të feve të tjera, të cilët ndajnë urimet dhe gëzimin e kësaj dite.
Në Elbasan, qindra besimtarë u mblodhën në qendrën e sheshit kryesor për faljen e namazit dhe për t’u lutur që sakrificat e tyre të pranohen nga Zoti. Myftiu i qytetit, Agim Duka, theksoi rëndësinë e kësaj feste si një moment reflektimi dhe mirëkuptimi mes njerëzve.
Edhe në Shkodër, ceremonia e faljes së Fitër Bajramit u mbajt në Xhaminë e Parrucës, ku ligjëratën e mbajti Myftiu i qytetit, Imam Muhamed Sytari. Ai u bëri thirrje besimtarëve për më shumë devocion dhe besim, duke theksuar se Ramazani është një periudhë e çmuar për të gjetur paqen shpirtërore dhe për të forcuar lidhjen me Zotin.
Në Kukës, pavarësisht kushteve atmosferike jo të favorshme, besimtarët u mblodhën në xhaminë e qytetit dhe në hapësirat përreth për të falur Bajramin. Myftiu i Kukësit, Emirjon Vathaj, uroi të gjithë besimtarët për këtë festë, duke e cilësuar atë një ditë të shenjtë për reflektim dhe bujari.
Një mesazh urimi për këtë festë dha edhe Aldrin Dalipi, Kryetar i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve dhe Kryetar i Qarkut Tiranë. “Zoti jua pranoftë lutjet dhe sakrificat. Gëzuar Fitër Bajramin”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke ndarë edhe momente nga falja e namazit në Tiranë.
Ndryshe nga Kurban Bajrami, i cili shoqërohet me therjen e kurbanit, Fitër Bajrami festohet kryesisht me ëmbëlsira tradicionale. Besimtarët veshin rroba të reja, vizitojnë të afërmit dhe miqtë dhe përshëndeten me urimin e zakonshëm: “Gëzuar Fitër Bajramin!”
Pas faljes së namazit, myftinjtë e qyteteve të ndryshme çelën dyert e tyre për të pritur urimet e besimtarëve, përfaqësuesve të komuniteteve të tjera fetare dhe personaliteteve publike. Festa e Fitër Bajramit mbetet një simbol i solidaritetit dhe vlerave shpirtërore, qe forcon harmoninë ndërfetare që karakterizon shoqërinë shqiptare.



