Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Vushtrrisë, ku një 19-vjeçar, Ardit Zymeri, është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së dielës. Autori i dyshuar u kap pak pas ngjarjes dhe, sipas autoriteteve, ka pranuar fajësinë.
Policia e Kosovës bëri të ditur se vrasja ndodhi në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, ku i dyshuari shtiu mbi viktimën duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Pavarësisht transportimit të menjëhershëm në Spitalin e Vushtrrisë, mjekët konfirmuan vdekjen e të riut.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, deklaroi se i dyshuari është ndaluar për 48 orë nën akuzën për “vrasje të rëndë” dhe ka pranuar fajësinë gjatë deklarimit para autoriteteve.
Si pjesë e hetimeve, Policia ka sekuestruar tre gëzhoja dhe një revole, që dyshohet të jetë arma e përdorur në vrasje. Gjithashtu, gjatë një bastisjeje në banesën e të dyshuarit, u gjet dhe u konfiskua një armë e gjatë me pesë fishekë.
Deri më tani, motivet e kësaj vrasjeje mbeten të panjohura. Familja e viktimës, përmes xhaxhait të tij, Nysret Zymeri, ka deklaruar se nuk e njeh dorasin dhe nuk ka pasur konflikte me askënd.
“Nuk e dimë se si ka ndodhur. Nuk kemi pasur probleme me askënd, nuk kemi asnjë informacion për dorasin”, tha ai për mediat.
Ndërkohë, Prokuroria ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të krimit.



