Ulqini u bë dje epiqendra e një proteste masive, ku qindra qytetarë dolën në rrugë për të kundërshtuar qiradhënien e plazheve përmes një tenderi të diskutueshëm, i cili, sipas tyre, favorizon investitorët e huaj dhe rrezikon identitetin lokal.
Nën presionin e qytetarëve, Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, njoftoi tërheqjen e ofertës së kompanisë arabe Eagle Hills, por protestuesit nuk u tërhoqën nga kërkesat e tyre, duke insistuar në anulimin e plotë të tenderit dhe dhënien e përparësisë qiramarrësve vendas.
Në mbështetje të protestuesve doli edhe Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili theksoi se ky nuk është vetëm një debat mbi plazhet, por një betejë për të drejtat e banorëve të Ulqinit dhe për marrëdhënien e qytetit me Podgoricën.
“Ulqini nuk do të heshtë dhe asesi nuk është në shitje. Jemi popull krenar, investitorët janë të mirëpritur, por vetëm ata që respektojnë kushtet tona,” deklaroi Nimanbegu, duke bërë thirrje për kthimin e pronave të marra nga viti 1991 e deri më sot dhe për ndryshimin e Ligjit mbi Të Mirat Detare.
Ai gjithashtu theksoi se protesta ka marrë mbështetje edhe nga kryetarët e gjashtë komunave bregdetare të Malit të Zi, duke treguar se pakënaqësia nuk është vetëm lokale, por pjesë e një shqetësimi më të gjerë kombëtar.
Banorët paralajmëruan vazhdimin e protestave deri në realizimin e plotë të kërkesave të tyre, duke mbetur të vendosur për të mbrojtur interesat e komunitetit të tyre.